Gjykata Themelore e Kumanovës: gjashtë vite burg për Boban Iliqin, gjashtë muaj burg për babanë e Almirit, Sedat Aliun. Alispahiq: vendimi gjyqësor është skandaloz

05.04.2018 14:38

Gjykata Themelore e Kumanovës ka shqiptuar dënimin prej gjashtë vjet burgim për Boban Iliqin...

Gjykata Themelore e Kumanovës ka shqiptuar dënimin prej gjashtë vjet burgim për Boban Iliqin, i cili ishte i akuzuar për “aksident trafiku me pasojë vdekjen” e 4 vjeçarit, Almir Aliut.
 
Po ashtu gjykata shqiptoi dënim prej 6 muajsh burg për babin e Almirit, Sedat Aliun, ndërsa me nga 9 muaj burg u dënuan Abdulla Aliu dhe Sami Demiri. Gjykatësja, Maja Denkovska, i arsyetoi vendimet si adekuate për veprat e kryera. 
 
Por, avokatët e familjes Aliu e cilësuan vendimin si skandaloz dhe të papranueshëm, duke paralajmëruar se do të ankimojnë vendimin në Gjykatën e Apelit.
 
“Lirisht mund të konstatojmë se ky është edhe një rast i montuar duke nisur nga Prokuroria Publike për të përfunduar sot në Gjykatën e Kumanovës. Më vjen keq që e them këtë, por unë si jurist do të luftoj që të ndryshoj këtë gjendje në gjyqësor. Gjithashtu mund të konstatojmë se në vend kemi vërtetë problem me ndarjen e drejtësisë, e sidomos kur bëhet fjalë me përkatësinë etnike shqiptare. Ne si avokat të familjes Aliu, pasi që do të marrim vendimin gjyqësor në formë të shkruar, menjëherë do të parashtrojmë ankesë deri te Gjykata e Apelit”,- deklaroi avokati i familjes Aliut, Asmir Alispahiq.
 
Edhe familjarët e Almir Aliut nuk u pajtuan me dënimin e shqiptuar ndaj  Boban Iliqit. Ata paralajmëruan padi penale ndaj prokurores, Suzana Kusigerskës, dhe gjykatëses, Maja Denkovskës. 
 
“Shihet qartë se është bërë padrejtësi me vetë faktin se Sedati dhe Abdullai u dënuan me 9 muaj burg. Ne do të ankohemi dhe do të ngremë padi ndaj prokurores, Suzana Kusigerkës, dhe kundër gjykatëses, Maja Denkovskës”,- tha xhaxhai i Sedat Aliut, Nijazi Aliu.
 
Shqiptimin e aktgjykimit nuk e dëgjoi Boban Iliqi dhe familjarët e tij. Asnjëri prej tyre nuk erdhi në gjykatë. As avokati i tyre nuk deshi të prononcohet në lidhje me vendimit gjyqësor.
 
Më 15 shkurt 2017 filloi procesi gjyqësor kundër Boban Iliqit në Gjykatën Themelore në Kumanovë.
 
Prej asaj kohe e deri më sot avokatët e familjes së Almir Aliut në vazhdimisht shprehnin brengosje të madhe se aktakuza e ngritur fillestare të prokurorisë nga “vrasje” mund të rikualifikohej në “aksident  trafiku”, edhe ashtu ndodhi.
 
Me këtë rikualifikim të lëndës automatikisht dhe u ul korniza e dënimit minimal i kësaj vepre. 
 
Përndryshe, vepra e rikualifikuar për rastin e Almir Aliut parasheh dënim prej 4 deri më 20 vjet burgim për autorin e kësaj vrasje. 
 
Katërvjeçari, Almir Aliu, u shkel për vdekje me veturë nga Boban Iliq pas një zënke banale para urgjencës së qytetit të Kumanovës. 
 
REXHEP QAMILI