Fazliu: Kryetarët e komunave të jenë më të përgjegjshëm
Për shkak të borxheve të larta, disa komuna në vend aktualisht përballen me xhirollogari të bllokuara....

Për shkak të borxheve të larta, disa komuna në vend aktualisht përballen me xhirollogari të bllokuara. Ministri i Pushtetit Lokal, Suhejl Fazliu, kërkoi nga kryetarët e komunave që të jenë më të përgjegjshëm dhe të përpilojnë plane afatgjate për menaxhimin e komunave, përfshirë edhe zvogëlimin e numrit të personave të punësuar.
“Daljen nga kjo krizë të komunave unë së pari e shoh në menaxhimin më të mirë të udhëheqësve të komunave, të formojnë sektore me të punësuar profesionistë brenda komunave, të zvogëlojnë numrin e të punësuarve partiakisht, të rrisin numrin e atyre që kanë vlera dhe mund të kontribuojnë në menaxhimin më të mirë të komunave”,- deklaroi ministri i Pushtetit Lokal, Suhejl Fazliu.
Këtë Fazliu e theksoi në debatin e organizuar nga Ministria e Pushtetit Lokal për ndryshimet e Programit për zhvillim lokal dhe decentralizimin, në të cilin morën pjesë përfaqësues të komunave, të BNJVL-së dhe UNDP-së.
Përfaqësuesit e UNDP-së thanë se zhvillimi i barabartë rajonal është shumë i rëndësishëm për Maqedoninë. (Ersan Pajaziti, TVM2)
