Maqedoni

Filipçe: me huan nga Fondi Shëndetësor debllokohet llogaria e Klinikës së Gjinekologjisë

05.04.2018 16:38

Llogaria bankare e Klinikës së Gjinekologjisë do të zhbllokohet me mjete të siguruara si hua nga Fondi Shëndetësor...

Këtë e bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, pas takimit me drejtorin e Fondit, pas çka theksoi se ky problem mund të llogaritet i mbyllur. 
 
“Do të sigurohen para shtesë në formë të huas. Kjo shumë do të jetë në dispozicion të Klinikës së Gjinekologjikë gjatë ditës së sotme, apo për shkak të afërsisë së festave të martën e ardhshme. Problemi është tejkaluar dhe llogaria do të zhbllokohet për funksionim normal të klinikës. Puna dhe funksionimi normal i klinikës nuk vihen në rrezik, ashtu si edhe pagat e të punësuarve”,- u shpreh ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Ai nuk pret bllokim të ri të llogarisë bankare të klinikës edhe pse ka ende lëndë që zhvillohen për problematikën e njëjtë për të cilën u bllokua llogaria. 
 
Llogaria bankare e Klinikës së Gjinekologjisë në Shkup ishte bllokuar për shkak të dëmshpërblimit prej 40 milion e 974 mijë e 561 denarë për 12 padi nga prindërit e fëmijëve me shikim të dëmtuar që nga viti 2008, të cilët ishin liruar në shtëpi pa u kontrolluar nëse ata përballen me retinopati. 
 
GYLTENE SINANI