Maqedoni
Medreseja “Isa Beu”, ekspozitë me punë dore nga nxënëset
05.04.2018 16:55
Ilahi, poezi, recitale koreografike, një program i pasur dhe tejet i larmishëm u mbajt nga grupi i vajzave të Medresesë “Isa Beu” në Shkup me rastin e ditëlindjes së profetit Muhamed...

Gjithashtu u promovuan edhe punime dore, kaligrafi me shkronja arabe, zbukurime të ndryshme dhe shumë gjësende të tjera të cilat i kanë punuar nxënëset në mënyrë vullnetare.
Punimet e dorës do të shiten dhe mjetet e grumbulluara do të shkojnë për bamirësi.
Kjo ekspozitë, e cila tashmë është bërë tradicionale dhe mbahet për të 12 vit me radhë, mban emrin “Dora e Artë”.
“Punohet nga nxënëset, mirëpo ndihmohet nga profesoreshat në kohën e lirë kur e kanë nxënëset, mirëpo përsipër e marrin dy profesoresha çdo vit, që të bëhet kjo punë e dorës. Punimet e dorës do të shiten, i kemi me një çmim shumë të volitshëm, jo si jashtë që shitet, dhe këto para u dhurohen nxënëseve tona”,- tha koordinatorja, Nurten Shehi Saqipi.
“Kur kemi pasur kohë të lirë jashtë mësimit i kemi punuar këto, si p.sh. këto punime dore, kemi bërë edhe kaligrafi. Kemi bërë punime për çejz që janë traditë e jona”,- theksoi nxënësja e Medresesë “Isa Beu”.
Nuk munguan as ushqimet tradicionale të përgatitura dhe të servuara nga vajzat e kësaj paralele me të cilat u gostitën të pranishmit.
“Nga shtëpitë e tyre secili ka sjellë diçka. Unë për vete kam përgatitur ëmbëlsirë, të gjithë këtë e kemi bërë vullnetarisht”,- theksoi nxënësja e Medresesë “Isa Beu”.
Më herët vajzat nuk kanë pasur alternativë për shkollim dhe ato janë detyruar të ndjekin mësimet nëpër xhamia, thotë kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi, i cili hapjen e paraleleve për femra e vlerëson si një arritje të madhe.
“Ne kemi arritur të hapim tri qendra për edukimin e femrave, në Shkup, Tetovë dhe Gostivar. Kjo është një ecje e madhe përpara sepse prej vitit 1912 e këndej nuk kemi pasur edhe për gjininë mashkullore në trojet e Ballkanit të ish Jugosllavisë, e vetmja medrese ka qenë e nivelit të shkollës së mesme e “Gazi Userbenit” në Sarajevë”,- u shpreh kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi.
Rexhepi tha se edukimi i femrës luan rol të madh në edukimin e një populli, prandaj në këtë drejtim ai premtoi se do të vazhdojë të mbështesë edhe në të ardhmen.
FARIJE DAUTI BAKIJU
