Maqedoni

Rasti “TNT”, gjykimi shtyhet, kërkohet ndërrimi i gjykatësve

05.04.2018 17:25

Gjykimi për rastin “TNT” shtyhet për më 13 prill, meqë sot pala mbrojtëse nuk e mori përgjigjen nga Apeli për ndërrimin e gjykatësve...

Gjykimi për rastin “TNT” shtyhet për më 13 prill, meqë sot pala mbrojtëse nuk e mori përgjigjen nga Apeli për ndërrimin e gjykatësve që duhet të gjykojnë ish-kryeministrin, Nikolla Gruevskin, ish-ministrin e Transportit, Mile Janakievskin, dhe ish-kryetarin e komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovskin, për rrënimin e objektit “Kosmos” të Fijat Canovskit.
 
Gjykata Penale pret brenda tri ditësh të marrë përgjigje nga Apeli për ndërrim ose jo të këshillit gjyqësor: kryetarit, Ognen Stavrev, gjykatësit, Osman Shabani, dhe gjykatësve të tjerë.
 
Avokati i Gruevskit, Elenko Millanov, këtë kërkesë e bazoi në deklaratën e prokurores speciale, Katica Janeva, e cila në intervistën për një media ka thënë se disa gjykatës që janë përgjuar veprojnë në lëndën e PPS-së.
 
“Kjo hap dyshime, andaj edhe menjëherë pas emisionit u ngrit kërkesa që të përgjigjen se kush janë gjykatësit që janë pjesë e bisedave të përgjuara, që mbrojtja të dijë se ata gjykatës mund të veprojnë në ndonjë fazë të proceseve gjyqësore, ose në fazat e mëtejme. Paraqitja e tillë e tyre në këto biseda të paligjshme mund të konsiderohet si e dëmtuar në proceset dhe kjo paraqet bazë ligjore për ndërrimin e tyre”,- deklaroi avokati mbrojtës, Elenko Millanov.
 
Në seancën e radhës pritet të dëgjohen 26 “bomba” si material kundër të akuzuarve.
 
Përveç bisedave telefonike, do të lexohen dhe SMS porositë të cilat i kanë shkëmbyer të akuzuarit në kohën kur janë marrë vesh për shembjen e kompleksit “Kosmos”.
 
Dëmi nga shembja e objektit “Kosmos” në vitin 2011 nga pushteti i Gruevskit është vlerësuar në shumë prej 16 milion euro.
 
MERAL ISMAILI