Maqedoni
Dibër, në shtator nis ndërtimi i sistemit të ujitjes
05.04.2018 17:37
Gjatë muajit shtator do të fillojë faza e parë e ndërtimit të pompave për sistemin e ujitjes në fushën e Dibrës...

Këtë e bënë të ditur sekretari shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Nefrus Ҫeliku, dhe drejtori i ujërave në Ministrinë e Bujqësisë, Sllave Arsovski, në takimin me kryetarin e komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata.
Për këtë qëllim janë ndarë 12 milion euro, theksuan përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë.
“Është një projekt për ujitjen e fushës së Dibrës, i cili do të zgjidh një problem të madh për të gjithë fermerët e kësaj ane. Ne si Ministri e Bujqësisë, muajin shtator e kemi paraparë për furnizime publike të fazës së parë për ndërtimin e stacionit të pompimit të sistemit për ujitje, pastaj do të vazhdojmë me fazat e tjera”,- deklaroi sekretari shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Nefrus Ҫeliku.
“Dibra si rreth blegtoral me sistemin vaditës do të sigurojë ushqim të mjaftueshëm për bagëtinë. Qeveria financon edhe përmes IPARD projekteve, ku këtë vit përmes projekteve të ndryshme do të investojmë rreth 40 milion euro dhe blegtorët dibranë munden të konkurrojnë në projekte të ndryshme”,- u shpreh drejtori i ujërave në Ministrinë e Bujqësisë, Sllave Arsovski.
Kjo është një përkrahje e madhe për banorët e Dibrës, tha kryetari i Dibrës, Lata.
“Bëhet fjalë për një projekt që Dibra duhet të vadisë 2 mijë hektarë tokë dhe është një ardhmëri e Dibrës në të gjitha sferat furnizuese ekzistuese dhe ndaluese të emigrimit të dibranëve. Më vjen mirë që ky bashkëpunim ndoshta dikujt i dukej ëndërr, mirëpo ja që dalëngadalë do të bëhet realitet. Sot na dorëzohet dhe analizohet projekti detal”,- tha kryetari i Dibrës, Ruzhdi Lata.
Për përkrahje të bujqësisë janë rritur edhe subvencionet, theksuan me këtë rast përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë.
ATLI DEMA
