Maqedoni

Deskovska: konsensus për Ligjin e arsimit sipëror, universitetet paraqesin vërejtjet e tyre

05.04.2018 18:09

Rektorët dhe dekanët e universiteteve publike dhe private, si dhe përfaqësues të studentëve dhe sindikatave...

Rektorët dhe dekanët e universiteteve publike dhe private, si dhe përfaqësues të studentëve dhe sindikatave, dhanë vërejtjet dhe sugjerimet e tyre në debatin publik për propozim ligjin e arsimit sipëror.
 
Autonomia financiare është tejet e rëndësishme, vlerëson rektori i UNT-së, Aziz Pollozhani, sipas të cilit nuk mund të pritet cilësi nëse universiteti varet nga të hyrat e studentëve.             
                          
“Duhet konsensus më i gjerë mes faktorit qeveritar, sepse tangohet edhe buxheti i Ministrisë së Financave. Është koha që kjo nuk mund të shtyhet, sepse nuk mund të kërkohet cilësi nëse mbetet modeli i tillë i financimit”,- tha rektori i UNT-së, Aziz Pollozhani.                         
                
Ministrja e Arsimit tha se detajet e financimit do varen nga Këshilli Nacional që do të përcaktojë kriteret e financimit.
 
“Bazat e autonomisë së financimit janë të vendosura, por detajet për financimin konkret të programeve studimore do të jenë çështje të Këshillit Nacional ku më shumë se dy e treta janë profesorë të fakulteteve, përfaqësues të studentëve, një është anëtar i AShAM-it, që do të ndërtojnë kriteret për financimin e arsimit sipëror”,- theksoi ministrja e Arsimit, Renata Deskovska – Trenevska.
 
Përfaqësuesi i UShT-së, Bashkim Ziberi, ngriti çështjen e akreditimit të programeve studimore për të cilat tha se universitetet nuk kanë pasqyrë të qartë.       
                          
“Këshilli i akreditimit në njëfarë forme sikur po e humb edhe renditjen e të gjithë programeve studimore se çka akreditohet. Vendosen profesorë që nuk janë të fushës të akreditojnë programe studimore, pra me ligjin e ri të gjithë këto elemente kalohen te universitetet”,- tha përfaqësuesi i UShT-së, Bashkim Ziberi.         
                                                                                
Zëvendësministri i Arsimit, Arbër Ademi, sqaroi se risi në propozim-ligjin është formimi i Agjencisë për cilësi ku përfshihet edhe Këshilli për akreditim.     
                                         
“Në kuadër të këtij propozim-ligji përmbahen disa risi. Unë do të veçoja Agjencinë për kualitet, në kuadër të të cilës do të jetë bordi i akreditimit dhe bordi i evaluimit, po ashtu edhe Këshilli Nacional për arsim të lartë ku parashihet qartë se kush mund të jetë anëtar, po ashtu parashihen dispozita të qarta sa i përket kompetencave”,- theksoi zëvendësministri i Arsimit, Arbër Ademi.                                                                                                                  
Duhet të përcaktohet paga minimale neto, konsideron rektori i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Nikolla Jankullovksi. 
 
Ndërkohë, rektori i Universitetit të Shtipit, Bogoev, vlerëson se tre muaj është afat i shkurtë që universitetet t’i përshtatin aktet me rregullativën e re ligjore. 
 
Po ashtu vërejtje kishte për Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë, ku regjistraturat dhe doktoraturat duhet të përkthen në maqedonisht edhe pse mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.
 
FLUTURA LATIFI