Maqedoni
Ruta ballkanike e emigrantëve, ndalet ruta, vazhdon trafikimi dhe tregtia
05.04.2018 19:38
Ruta ballkanike e emigrantëve, edhe pse është reduktuar, ajo vazhdon të funksionojë, madje në formë ilegale pas mbylljes zyrtare të kësaj rute...

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, tha se mbyllja e rutës ka rritur numrin e trafikantëve me migrantë, ndërsa migrantët shpeshherë janë viktima të tyre.
Gjithsesi, në brifikungun e nismës rajonale MARRI, Spasovski sqaroi se Maqedonia nuk është destinacion, por vend transit i migrantëve, pasi në periudhën e rutës 2015-2017 kur transituan rreth një milionë migrantë, vetëm 200 persona kanë kërkuar azil në Maqedoni.
“Edhe pse me intensitet më të vogël, ruta e Ballkanit Perëndimor ende funksionon. Për fat të keq, pas mbylljes zyrtare të rutës u paraqitën numër i madh i kontrabanduesve të emigrantëve dhe gjithnjë e më shpesh migrantët janë viktima të tyre dhe jorrallëherë janë edhe viktima të trafikimit me njerëz”,- theksoi ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.
Rajoni i Ballkanit Perëndimor konsiderohet si porta hyrëse e migrantëve për në BE. Spasovski tha se vendi angazhohet që t’u sigurojë mbrojtjen e duhur për sa kohë janë në territorin e Maqedonisë, në harmoni me ligjet.
Për t’i mbrojtur nga trafikantët, është themeluar Njësia Kombëtare për Shkatërrimin e trafikimit të migrantëve dhe tregtisë me njerëz.
Në ndërkohë, nisma rajonale për migrim, azil dhe refugjatë - MARRI, po harton bazën e të dhënave për migrim legal, përmes së cilës vendet anëtare të saj do të kenë pasqyrë për lëvizjen e njerëzve në territorin përkatës.
“Gjatë kryesimit të Shqipërisë me zyrën, MARRI arriti disa rezultate të rëndësishme në kornizën e procesit të reformave. Kompletuam draftet e Strategjisë së MARRI-t për periudhën 2018-2020 dhe kushtet e reja për drejtor të ri ekzekutiv të Qendrës MARRI”,- tha kryesuesja me MARRI-n, Antonela Demolea.
MARRI është organizata e vetme rajonale që trajton problematikën e migrimeve. Në të marrin pjesë gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, si: Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Bosnja, Mali i Zi dhe Serbia.
SHPËTIM NUREDINI
