Maqedoni

BESA dhe ASh, reagime ndaj vendimit gjyqësor për Almirin

05.04.2018 20:04

Pas vendimit gjyqësor për rastin e Almir Aliut, kanë reaguar partitë politike shqiptare...

"Derisa për shqiptarët, si në rastet e montuara dhe të përvuajtura, tashmë të njohura për opinionin – edhe kur nuk ka bazë – shqiptohen dënime drakonike dhe burg i përjetshëm, në kohën që një vrasës shqiptari duhet ta marrë dënimin e vrasjes, kjo nuk ndodhë. Sikur shqiptarët në Maqedoni të mos jenë njerëz të njëjtë dhe sikur gjaku i një maqedonasi të jetë më i vlefshëm se gjaku i një shqiptari. Kjo, përveç diskriminimit, merr edhe nuanca racizmi. Ky vendim i sotëm e dëmton seriozisht mirëbesimin ndëretnik dhe besimin ndaj institucioneve në Maqedoni, për të cilin jemi angazhuar edhe ne tashmë një kohë të gjatë",- thuhet në komunikatën e Lëvizjes BESA të nënshkruar nga kryetari, Afrim Gashi.  
 
Edhe për Besën e Kasamit vendimi është i papranueshëm.
 
“Gjykata, duke dashur që të vendos drejtësi, për herë të dytë e vrau Almirin e vogël, duke i dhënë dënimin minimal vrasësit, Boban Iliq, por edhe më e keqja, duke i dënuar edhe familjarët e Almirit të vogël. Kërkojmë nga prokurori publik në Maqedoni, Lubomir Joveski, që për shkaqe morale të japë dorëheqje nga posti i tij, ndërsa nga Këshilli Gjyqësor Republikan kërkojmë që të marrë masë ndaj gjykatësit, i cili e solli këtë vendim skandaloz”,- theksojnë nga “Besa” e Kasamit. 
 
Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët vlerëson se çështja e Almirit nuk duhet trajtuar si çështje e familjes Aliu, por si çështje e një fëmije që ishte viktimë e një vrasësi makabër.
 
“U tha që avokatët e familjes Aliu paskëshin qenë të pakujdesshëm në mbledhjen e fakteve, harrojnë që vrasja është vepër kundër shtetit dhe njerëzimit në përgjithësi dhe jo e avokatëve apo e familjes Aliu”,- ka shkruar në Facebook kreu i ASh-së,  Ziadin Sela.