Ekonomi
Masat e shtyllës së tretë, kontratat e para deri në fund të qershorit
05.04.2018 20:44
Deri në fund të qershorit pritet të nënshkruhen kontratat e para me kompanitë të cilat do të marrin grande...

Deri në fund të qershorit pritet të nënshkruhen kontratat e para me kompanitë të cilat do të marrin grande nga masat e shtyllës së tretë të Planit të rritjes ekonomike të Qeverisë, beri të ditur drejtori i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, Jovan Despotovski.
Sipas tij, projektet që do të zbatohen nga kompanitë do të vlerësohen nga ekspertë të jashtëm, përzgjedhja e të cilave do të bëhet në mënyrë transparente. Me masën e shtyllës së tretë parashikohet të ndahen rreth 10,5 milionë euro.
“Nëse gjithçka shkon sipas planit, pres që deri në fund të qershorit do t’i kemi të nënshkruara edhe marrëveshjet e para dhe me nënshkrimin e marrëveshjeve kompanitë do t’i marrin mjetet e parashikuara”,- deklaroi drejtori i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, Jovan Despotovski.
Drejtori ekzekutiv i LOE-së, Aleksandar Zarkov, potencoi se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë nevojë për mbështetje financiare, që është e rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të tyre dhe për këtë arsye ata tashmë po ndërmarrin aktivitete për të përmirësuar kapacitetin e kompanive për të përgatitur një aplikim cilësor.
“Ne tashmë kemi ndërmarrë disa aktivitete për rritjen e kapaciteteve drejtpërdrejt të kompanive, si dhe rrjetëzimin shtesë ndërmjet tyre, ndërmjet profesionistëve, ekspertëve dhe përdoruesve potencialë për të marrë aplikim dhe shfrytëzim cilësor të fondeve”,- theksoi drejtori ekzekutiv i LOE-së, Aleksandar Zarkov.
Në shtyllën e tretë të Planit, mbështetja më e madhe financiare është parashikuar me masën e tretë që është në mbështetje të zhvillimit të produkteve dhe shërbimeve inovative, me të cilën financohen 70 për qind të projektit, por jo më shumë se 20 milionë denarë.
GAZMEND KURTISHI
