Maqedoni

Zbatimi i reformave dhe raporti i KE-së, Bilalli: kemi ngecje në planin “3-6-9”

06.04.2018 18:21

Në prag të publikimit të Raportit të Komisionit Europian për Maqedoninë, vendi shënon ngecje në zbatimin e Planit “3-6-9”...

Në prag të publikimit të Raportit të Komisionit Europian për Maqedoninë, vendi shënon ngecje në zbatimin e Planit “3-6-9”, posaçërisht në miratimin e pakos së ligjeve reformatore.
 
Ngecja më e madhe ndodh me ligjet sistemore, të cilat duhet të miratohen me dy të tretat e votave, e që pa votat e opozitës nuk kalojnë dot.
 
Dhe përderisa shumica pretendon të shtojë numrat në Kuvend, VMRO-DPMNE ka parashtruar kërkesën për mocion mosbesimi të Qeverisë Zaev.
 
Megjithatë, ky akt, më shumë shihet si mundësi për rikthimin e opozitës në punimet e Kuvendit, sesa mundësi reale për rrëzimin e qeverisë. 
 
“Jam i mendimit se kemi njëfarë ngecje në planin “3-6-9”, bile edhe në aspektin normativ. Akoma nuk janë miratuar të gjitha ato ligje që praktikisht janë pjesë e atij programi, veçanërisht segmenti që ka të bëjë me dy të tretat, pra me ligje shumë të rëndësishme që një pjesë e tyre janë edhe sistemore. Natyrisht se pa prezencën e opozitës është gati e pamundur që të miratohen këto ligje”,- theksoi profesori i universitetit, Mersel Bilalli.
 
Opozita maqedonase është deklaruar se nuk do të pengojë procesin e integrimit euroatlantik të vendit, prandaj grupe pune mes pushtetit dhe opozitës diskutojnë pakon e ligjeve reformuese.
 
Por, Bilalli konsideron se udhëheqësia e re e VMRO-së vazhdon të jetë nën ndikimin e strukturës së vjetër dhe ndasitë brenda VMRO-DPMNE-së e vështirësojnë situatën e përgjithshme politike.
 
“Problem shtesë është se grupet parlamentare, të cilat si duket janë të revoltuara dhe bëjnë politikë të veten personale, kështu që e gjithë kjo reflektohet në problemet e përgjithshme. Por, sido që të jetë, mendoj se politika e madhe është ajo që do të vendos që ne të marrim thirrje edhe për NATO dhe të marrim vlerësimin pozitiv për startimin e bisedimeve pa kusht”,- u shpreh profesori i universitetit, Mersel Bilalli.
 
Përkundër ngecjeve në zbatimin e reformave në këto dhjetë muaj qeverisje të qeverisë së re, Maqedonia ka shënuar avancim të dukshëm në marrëdhëniet me fqinjët, një kusht ky i rëndësishëm për procesin integrues.
 
Pas Marrëveshjes me Bullgarinë, vendi ka intensifikuar bisedimet me Athinën zyrtare për të gjetur zgjidhje të pranueshme për të dyja palët për kontestin rreth emrit.
 
SHPËTIM NUREDINI