Maqedoni
Kontesti për emrin, Kaklamanis: pa zgjidhje, vetëm vëzhgues në NATO. Mediat greke për marrëveshjen eventuale: shumica qeverisëse greke në kërkim të 180 votave
06.04.2018 18:46
Athina zyrtare vazhdon të këmbëngul në zgjidhjen e çështjes së emrit dhe pastaj Maqedonia...
Athina zyrtare vazhdon të këmbëngul në zgjidhjen e çështjes së emrit dhe pastaj Maqedonia të anëtarësohet në NATO.
“Në rast se emri nuk zgjidhet deri në Samitin e NATO-s në korrik, Shkupi mund të jetë vetëm vëzhgues në Aleancën Veri-Atlantike”,- deklaroi zëvendëskryeparlamentari nga radhët e Demokracisë së Re, Nikitas Kaklamanis.
“Parashikimi im është se në Samitin e NATO-s, pasi mendoj se deri atëherë nuk do të arrihet marrëveshje, ashtu siç kërkon Greqia, veçanërisht për shkak të ndryshimeve në Kushtetutë, mund të pranohet propozimi nga Qeveria e Ciprasit dhe Kamenosit, edhe pse nuk është arritur marrëveshje e plotë, por ta lëmë Shkupin si vëzhgues në NATO”,- ka deklaruar Nikitas Kaklamanis.
Nga ana tjetër, mediat greke raportojnë se bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Cipras po kërkojnë votat e 180 deputetëve për të mbështetur marrëveshjen eventuale që mund të arrihet për emrin.
"Në qoftë se ekziston një marrëveshje për emrin me IRJM-në, bashkëpunëtorët e kryeministrit po diskutojnë për ta dërguar marrëveshjen që të votohet në Parlament dhe për ta miratuar atë, por jo me shumicën e thjeshtë. Diskutimi po udhëhiqet tani për të kërkuar një shumicë të zgjeruar prej 180 deputetësh. Kjo është për shkak të teorisë se bëhet fjalë për një marrëveshje ndërkombëtare dhe nuk duhet të miratohet nga shumica e thjeshtë",- ka shkruar portali In.
Ngjashëm ka shkruar edhe “Eurotoday”.
"Asnjë dispozitë kushtetuese nuk e detyron kryeministrin grek të caktojë kufirin e 180 deputetëve, por, siç shpjegon bashkëpunëtori i tij i ngushtë, zgjidhja e një çështjeje nacionale që nuk është zgjidhur për 25 vite ndoshta nuk mund të lejojë shumicën e thjeshtë",- ka raportuar “Eurotoday”.
Takimi i radhës i dy kryediplomatëve, Kocijas e Dimitrov, pritet të mbahet në Ohër, më 12 prill.
NAIM RAMADANI
