Botë
Protestat, Meta: qytetari duhet të kërkojë llogari për taksat; Basha: nuk do të ndalen deri në rrëzimin e qeverisë
06.04.2018 19:14
Pas protestave dhe mosbindjes civile gjatë ditës së djeshme, presidenti i republikës, Ilir Meta...

Pas protestave dhe mosbindjes civile gjatë ditës së djeshme, presidenti i republikës, Ilir Meta, ka kërkuar nga qeveria dhe opozita që të ulen në dialog për të evituar çdo shkak për tensione të panevojshme dhe konflikte që nuk i shërbejnë as vendit dhe as qytetarëve.
I pranishëm në takimin “Aleanca Kombëtare e Studentëve Senatorë”, Meta u shpreh se jetojmë në një klimë konfliktualiteti dhe arrogance.
“Jetojmë në një klimë të papranueshme konfliktualiteti dhe përjashtimi, arbitrariteti dhe arrogance. Besoj se jam përpjekur të jap mesazhet e duhura. Besoj se mesazhi im ka qenë dhe mbetet i qartë. Opozita ka të gjitha mundësitë që të shfrytëzojë instrumentet e saj për të rritur kontrollin parlamentar ashtu sikurse mazhoranca duhet të jetë më e interesuar për dialog të qëndrueshëm me opozitën, grupet e interesit, me komunitetet, me qytetarët në mënyrë që të evitohet çdo shkak për tensione të panevojshme dhe për konflikte që nuk i shërbejnë as vendit, as qytetarëve dhe asnjë qeverisjeje më të mirë dhe asnjë demokracie për të cilën të gjithë duhet të kontribuojmë më shumë”,- tha presidenti, Ilir Meta.
Në orët e pasdites, kryetari demokrat është shfaqur me disa qytetarë kuksianë para selisë së PD-së, duke paralajmëruar se kryengritja nuk do të ndalet deri në rrëzimin e qeverisë.
Opozita kërkon anulimin e tarifës së “Rrugës së Kombit” dhe lirimin e 11 protestuesve që mbahen në burg.
LULJETA NDOKA
