IRAK

Situatë e vështirë në Irak, edhe sot sulm vetëvrasës

23.07.2014 14:22

Një makinë e mbushur me eksploziv, u hodh në erë pranë një postblloku të Policisë. Shumë prej viktimave ishin duke shkuar në një vend të shenjtë shiit......

Një shpërthim vetëvrasës në Bagdad, ka lënë të vdekur të paktën 22 persona, dhjetëra të tjerë janë plagosur. Një makinë e mbushur me eksploziv, u hodh në erë pranë një postblloku të Policisë. Shumë prej viktimave ishin duke shkuar në një vend të shenjtë shiit.

Iraku, po kalon një situatë tejet të vështirë. Qeveria është duke u ndeshur intensivisht me militantët e Shtetit islamik në Irak dhe Levant, të cilët aktualisht kanë nën kontroll disa qytete në veriperëndim të vendin.

Militantët e ISIS-it, së fundi janë kthyer në shqetësim jo vetëm për Irakun, por edhe për rajonin, kësaj radhe edhe për shkak të arit të zi, naftës. Militantët e ISIS-it, kanë zaptuar 4 fusha të vogla nafte, e tani po përpiqen të shesin naftë të papërpunuar dhe benzinë, në mënyrë që të financojnë “kalifatin” islamik.

Fushat e naftës, në duart e ISIS-it janë modeste, krahasuar me fushat gjigante të Irakut pranë Kirkuk-ut apo Basra-s, të cilat ndodhen nën kontrollin e kurdëve dhe të Qeverisë. Por, monopoli mbi naftën në territorin e zotëruar prej tyre, i jep më shumë forcë ISIS-it përkundrejt fraksioneve të tjera të armatosura të sunitëve, gjë që mund të kërcënojë dominimin e këtyre të fundit në Irakun verior.

Zyrtarët irakianë, thonë se ata shesin kontrabandë naftë të papërpunuar te tregtarët turq me çmime tejet të ulëta, rreth 25 dollarë për fuçi.

“Shteti Islamik po siguron përfitime disa miliona dollarësh me këtë tregti të jashtëligjshme”- alarmojnë zyrtarët irakianë. Por, Iraku duket se ka probleme më të mëdha se nafta që shitet nga ana e ISIS-it.

Humans Right Uach, akuzon Forcat e Sigurisë irakiane se kanë vrarë 75 civilë dhe kanë lënduar qindra të tjerë në sulmet ajrore në 4 qytete që nga 6 qershori. Janë 17 sulme të  ndërmarra kundër militantëve të ISIS-it, gjatë të cilave bombat kanë goditur civilët, xhamitë dhe spitalet.

30 dëshmitarë janë intervistuar deri tani nga Organizata Ndërkombëtare. Edhe ISIS-i, përdor vendet e banuara për të ngritur kampet e tyre, duke përdorur civilët si mburojë nga sulmet eventuale. Human Rights Uach, kërkon nga të gjitha vendet që dërgojnë ndihma në Irak, t’i ndërpresin ato, derisa Qeveria në Bagdad të fillojë respektimin e Ligjeve Ndërkombëtare. (Migena Gorenca, TVM2)