Policët, sërish nuk i njohën të arrestuarit

23.07.2014 14:43

Me dëgjimin e dëshmive të pjesëtarëve të tjerë të Forcave Policore të MPB-së, ka vazhduar seanca e sotme gjyqësore për të arrestuarit në protestën e katër korrikut, kundër vendimit gjyqësor në rastin “Monstra”.....

Me dëgjimin e dëshmive të pjesëtarëve të tjerë të Forcave Policore të MPB-së, ka vazhduar seanca e sotme gjyqësore për të arrestuarit në protestën e katër korrikut, kundër vendimit gjyqësor në rastin “Monstra”.

Një pjesë e dëshmitarëve, njëherit dhe në cilësinë e të dëmtuarve, kërkuan dëmshpërblim për lëndimet e marra gjatë protestave, ndërsa disa prej tyre mohuan këtë të drejtë. Gjatë seancës së sotme, janë paraqitur edhe dy video-incizime gjatë protestave, të cilat paraqesin arrestimin e disa prej të akuzuarve, por jo dhe pjesëmarrjen e tyre në turmë, thotë avokati mbrojtës, Mitko Sollakov.

Për paraqitjen e video-incizimeve, kishte reagime nga ana e të akuzuarve, të cilëve nuk iu dha fjala të qartësojnë situatën.

“Është evidente se pjesëtarët e MPB-së kanë qenë të sulmuar nga ana e disa pjesëmarrësve në protestë, por nuk potencuan me siguri se cilët janë ata kryerës të veprës. Ata, në plan të përgjithshëm dhanë deklarata. Video-incizimet që i treguan, janë nga arrestimet dhe jo që janë kryerës të veprës, të cilët kanë hedhur gurë dhe gjësende të forta. Këtu ngelet diçka e paqartë dhe vështirë që do të mund të vërtetohet gjendja faktike. Ata nuk kanë dëshmi të forta se këta janë kryerësit e veprës, nuk ka incizime se ata kanë hedhur me gurë dhe gjësende të tjera”- deklaroi avokati mbrojtës, Mitko Sollakov.

“Mendoj se që në fillim, pranë Gjykatave Themelore ka qenë e prezantuar turma e cila ka goditur pjesëtarët e Policisë, ku dhe janë thyer dritaret e Gjykatave. Asnjëri nga të akuzuarit nuk është takuar këtu pranë Gjykatës, nuk është arrestuar këtu, pra pozitë të tillë nuk kemi”- theksoi avokati mbrojtës, Lupço Veselinovski.

Seancat e radhës për këtë rast, janë caktuar më datën 29 dhe 30 korrik. (Florije Kamberi, TVM2)