BFI

BFI, iftar për të promovuar tolerancën ndërfetare

23.07.2014 15:05

Maqedonia trashëgon një diversitet të theksuar fetar, bashkëjetesa dhe toleranca mes feve të ndryshme duhet të kultivohet....

Maqedonia trashëgon një diversitet të theksuar fetar, bashkëjetesa dhe toleranca mes feve të ndryshme duhet të kultivohet.

Për të promovuar dialogun ndërfetar, BFI shtroi një iftar të përbashkët me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve fetare në vend, korin diplomatik dhe përfaqësues të komunitetit mysliman nga Shqipëria dhe Kosova. Bashkësitë fetare duhet të dëshmojnë se janë faktorë stabiliteti në vend, potencuan përfaqësuesit e komuniteteve fetare.

“Bashkësitë fetare të kultivojnë marrëdhënie të mira në mes vete, ta kultivojnë dialogun, tolerancën, paqen, dashurinë dhe sigurinë e përgjithshme, pasi që edhe “Muaji i Ramazanit” është muaji i paqes, dashurisë, muaji i harmonisë, i tolerancës së pashembullt në botë, ne nuk mund të sillemi ndryshe përveç parimeve që duhet t’i aplikojmë në jetën tonë praktike”- deklaroi kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi.

“Të shkohet nga ajo rrugë, e cila na shpie drejt tolerancës, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe kjo mbledhje e të gjithë neve është për çdo lëvdatë”- theksoi një përfaqësues i kishës ortodokse.

“Të tregojmë shembullin e besimtarëve tanë se si duhet të ndërtojmë shoqërinë tonë dhe shpresoj se atë do ta ndërtojmë siç na udhëzon Zoti, pasi që këtë ai e dëshiron dhe e kërkon nga të gjithë ne”-potencoi përfaqësuesi i kishës katolike, Kiro Stojanov Biskup.

Bashkëjetesa e besimeve fetare, nuk është shembull vetëm për Maqedoninë. Kombi shqiptar ka tre besime kryesore, të cilat bashkëjetojnë ndër shekuj dhe janë shembull i tolerancës fetare për gjithë rajonin.

“Gjithmonë kemi ditur të bashkëjetojmë, të vlerësojmë njëri-tjetrin dhe besoj se kjo traditë do vazhdojë edhe më tutje të jetë shembull për Ballkanin, por edhe për tërë botën”- u shpreh kryetari i komunitetit mysliman në Shqipëri, Skender Brucaj.

“Njeriu është krijesa më e përsosur në sipërfaqen e tokës, që i madhi Zot e ka urdhëruar të jetojë i lirë, të jetojë në paqe dhe në gatishmëri të përhershme të bashkëpunimit me të gjithë, pavarësisht gjuhën, zakonet, besimit që i takon njeriu”- tha myftiu i Kosovës, Naim Tërnava. 

“Ky islam është përcjellë ndër breza dhe është parë si bashkim i kombit që kemi hasur deri në ditët e sotme” - theksoi përfaqësuesi i komunitetit bektashian nga Shqipëria, Ferdinand Samarxhiu.

Edhe ambasadori amerikan, Volers, potencoi se të gjitha besimet kanë për qëllim të tregojnë shembull se si duhet të promovohen vlerat universale, siç janë mirëkuptimi dhe toleranca.

“Edhe pse u përkasin besimeve të ndryshme, kemi mendime të njëjta, andaj është nderi im që të jem me ju në këtë “Ramazan”, i cili është shndërruar në traditë”- deklaroi ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, Poll Volers.

Fjala islam, do të thotë paqe, që nënkupton të qenit në paqe me veten dhe me çdo gjë që na rrethon, andaj ky muaj duhet të reflektojë paqe në tërë rruzullin tokësor, u tha me këtë rast. (Flutura Latifi, TVM2)