Botë
Zgjedhjet në Hungari, Orban fiton bindshëm mandatin e tretë
09.04.2018 09:11
Viktor Orban dhe partia e tij Fidesz janë fituesit e padiskutueshëm të zgjedhjeve në Hungari...

54-vjeçari do të shërbejë në krye të ekzekutivit për të tretin mandat radhazi, ndërsa Fidesz-i duket se ka për ta ruajtur supermazhorancën e saj të 2/3-ve në Parlament.
Në fjalën drejtuar simpatizantëve mbrëmjen e së dielës, euroskeptiku u shpreh se fitorja i dha hungarezëve mundësinë që të mbrojnë veten dhe të mbrojnë vendin.
“Hungaria shënoi një fitore të madhe. Kjo fitore hoqi të gjitha dyshimet. Para nesh tani qëndron një betejë edhe më e madhe. Ne fituam por tani e kemi shansin të mbrojmë Hungarinë dhe këtë do ta bëjmë së bashku”,- deklaroi kryetari i Fidesz, Viktor Orban.
Me parimin “Hungaria e para”, Orban ka ndikuar më shumë se çdo politikan tjetër në vendin e vet që nga rënia e Perdes së Hekurt. Ai e provoi qeverisjen në vitin 2010 e përpara kësaj edhe në vitet 1998-2002.
Orban, që nga viti 2010, e drejton vendin drejt një kursi konfrontimi me BE-në. Ai e bojkotoi vendimin e BE-së për të pranuar emigrantët në bazë të kuotave. Në fushatën elektorale, Viktor Orban bëri një politikë kundër migrantëve duke e kthyer atë në temë qendrore.
Opozita e akuzon kryeministrin Orban për minim të demokracisë dhe shpërndarje të burimeve të BE-së tek oligarkët e afërt me të.
Por, zgjedhjet e fundit rikonfirmuan se hungarezëve u pëlqen politika e tij dhe triumfi i Orban ishte shkatërrues për kundërshtarët e tij.
Pjesëmarrja prej 69% iu afrua niveleve rekord. Jobbik-u është shumë larg në vendin e dytë, me 20% të votave, socialistët morën vetëm 12%, LMP - partia më e madhe e gjelbër në vend, 7%. Ky rezultat çoi në dorëheqjen e krerëve të Jobbik-ut të Partisë Socialiste, që morën përsipër të gjithë përgjegjësinë e humbjes.
Por, si arriti euroskeptiku të marrë kaq shumë vota? Në kohën e krizës, Orban taksoi koncernet multinacionale me tatime speciale dhe uli taksat për qytetarët dhe shtresën e mesme. Borxhi shtetëror u ul nga 82% në 72% të BPV-së. Nën drejtimin e tij ekonomia u rrit, rrogat po ashtu, në vend ka pothuajse punësim të plotë.
Telat me gjemba në kufi nga ana tjetër mbajnë larg emigrantët. Euroskeptiku që i kundërvihet integrimit të mëtejshëm europian e lavdëron hapur liderin rus, Vladimir Putin, premton ulje të tatimit mbi fitimin dhe miratim politikash të rritjes ekonomike.
Triumfi i së dielës e forcon legjitimitetin e tij edhe në nivel europian, pasi nga ky ngadhënjim marrin krahë partitë nacionaliste në mbarë kontinentin.
MIGENA GORENCA
