Botë

Siri, Izraeli sulmoi një bazë ajrore siriane

09.04.2018 11:32

14 persona kanë humbur jetën pas një sulmi me aeroplan mbi bazën ajrore Tiyas të ushtrisë siriane...

14 persona kanë humbur jetën pas një sulmi me aeroplan mbi bazën ajrore Tiyas të ushtrisë siriane, në afërsi të qytetit të Homsit, vetëm disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi Bashar al-Assad-in se bashkë me aleatët, Iranin dhe Rusinë, do të paguajë “çmimin” për sulmet e tmerrshme kimike që i ka kryer ndaj dhjetëra fëmijëve.
 
Ende nuk dihet kush është përgjegjës i këtij sulmi, që pason alarmin ndërkombëtar mbi një sulm të dyshuar kimik në qytetin e Doumas, që kontrollohet nga rebelët. Trump dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën premtonin një reagim të fortë dhe të koordinuar ndaj sulmit të supozuar. Por, zyrtarët amerikanë kanë mohuar të kenë sulmuar me raketa.
 
“Në këto momente departamenti i mbrojtjes nuk po kryen sulme ajrore në Siri. Sidoqoftë, ne vazhdojmë të ndjekim nga afër situatën dhe mbështesim përpjekjet diplomatike për t’i vënë para përgjegjësisë ata që përdorin armë kimike në Siri dhe kudo tjetër”,- thuhet në deklaratë. 
 
Edhe Britania është duke punuar me aleatët e saj për një përgjigje të përbashkët pas raportimeve për sulme kimike në zonën e kontrolluar nga rebelët në Siri, ka thënë zëdhënësi i kryeministres britanike, Theresa May. Ai po ashtu ka thënë se Britania nuk është e përfshirë në sulmet e një nate më parë në një bazë ajrore siriane.
 
Derisa ShBA akuzon Rusinë për këtë sulm, Siria dhe Rusia kanë fajësuar Izraelin për sulmet në bazën ushtarake T-4 në provincën Homes, por zyrtarët e lartë të këtij vendi kanë refuzuar të komentojnë rreth mundësisë së përfshirjes së tyre. Fillimisht, Agjencia shtetërore siriane e lajmeve e quajti sulmin me raketa në bazën ajrore Tiyas një sulm të dyshuar amerikan, por, më pas, referenca ndaj Shteteve të Bashkuara u hoq. 
 
Në prill të vitit 2017, ShBA hodhi 59 raketa mbi bazën ajrore siriane Shayrat, si reagim ndaj sulmeve me armë kimike në një qytet tjetër që kontrollohej nga rebelët “Khan Sheikhoun”. Ushtria izraelite nuk ka dhënë ende komente për sulmin e fundit.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU