Maqedoni
Organizata e Konsumatorëve, 1800 ankesa nga qytetarët për teknikën e bardhë
09.04.2018 16:01
Brenda një viti janë dorëzuar mbi 1800 ankesa deri te “Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë” në lidhje me teknikën e bardhë për amvisëri...

Qytetarët ankohen për parregullsi, prodhime jo të sigurta dhe jocilësore në aparatet për amvisëri. Nga organizatat thonë se në disa raste pajisjet janë zëvendësuar me të tjera, ndërsa një pjesë e rasteve kanë përfunduar në gjykatë.
“Megjithatë më shumë probleme ka në rrjetin e blerjes me pakicë. Kur bëhet fjalë për pajisje teknike, njerëzit janë të pakënaqur nga prishja e shpejtë e tyre. Madje edhe te produktet që ka garanci prej një, dy ose pesë vitesh, kemi pasur ankesa kohëve të fundit. Probleme të njëjta kemi edhe gjatë këtij viti, pikërisht në aparatet teknike për amvisëri. Në këtë rast u mbetet gjithmonë faji qytetarëve si shkaktarë për prishjen e aparateve”,- deklaroi kryetarja e OKM-së, Marijana Llonçar Velkova.
Qytetarët thonë se në të kaluarën aparatet për amvisëri kanë qenë më të forta dhe më të qëndrueshme.
“Asgjë nuk është si më parë, frigoriferi për tre-katër vite prishet, televizori po ashtu. Më përpara kanë qëndruar deri në 40 vite”,- u shpreh një qytetar.
“Ka probleme dhe drejtohem në servis për t’i rregulluar”,- tha një qytetar.
“Nuk ka cilësi siç ka pasur më herët”,- theksoi një qytetar.
Deri të Organizata e Konsumatorëve kanë mbërritur ankesa edhe për shërbimet financiare dhe shërbimet e operatorëve telefonikë. Ankesa ka pasur edhe për shërbimet me karakter publik.
Sipas rregullativës ligjore, konsumatori duhet t’i marrë të gjitha të dhënat e prodhimit ose kushtet e shitjes. Nëse ka produkte të cilat janë të dëmtuara ose me gabime fabrike, fizikisht duhet të ndahet nga pjesa tjetër.
FARIJE DAUTI BAKIJU
