Maqedoni

Kontesti për emrin, Sela: Zgjidhja pa përkthim, e papranueshme

09.04.2018 16:56

Një kompromis për emrin pa përkthim është i papranueshëm, deklaroi kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela...

Konkretisht Sela është kundër propozimit “Gorna Makedonija” pa përkthim. Ai insiston që marrëveshja të jetë e përthyeshme në shqip dhe në gjuhët e tjera ndërkombëtare.
 
“Për ne është e papranueshme tendenca për të sllavizuar emrin. Për ne janë të papranueshme propozimet që shushuriten në opinion në lidhje me propozimin siç është “Gorna Makedonija”, pa të drejtën e përkthimit në asnjë gjuhë tjetër dhe vetëm në cirilicë. Një gjë e tillë është e papranueshme. Për ne është shumë e pranueshme që zgjidhja për emrin e Maqedonisë patjetër të jetë e përkthyer në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze - si ndër gjuhët ndërkombëtare”,- theksoi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
 
Edhe zyrtarët në vend deri tani kanë mbajtur qëndrim se marrëveshja për emrin do të duhej të ishte e përkthyeshme. Ndërsa kryeministri, Zoran Zaev, ditë më parë në një intervistë për Agjencinë e lajmeve MIA deklaroi se vendi nuk duhet të shpresojë se mund të anëtarësohet në NATO pa e zgjidhur kontestin e emrit me Greqinë. 
 
“Kur sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltemberg, ishte këtu tha se kjo gjë nuk bëhet dhe kjo është qasje e ndershme. Le ta dimë, qytetarët e Maqedonisë të dinë se nëse nuk e zgjidhim problemin me Greqinë lidhur me emrin tonë kushtetues, nuk do të marrim ftesë për anëtarësim në NATO”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev. 
 
Deklarata e kryeministrit i ka paraprirë takimit të 12 prillit ndërmjet ministrave të jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias, në Ohër. Ky takim vjen pas atij në Vjenë, pas të cilit u tha se kishte një lëvizje përpara.
 
NAIM RAMADANI