KUVENDI I MAQEDONISË

Opozita mungon, ligjet kalojnë pa debat

23.07.2014 15:13

Tre deputetet e opozitës maqedonase, Lubica Buralieva, Sollza Gërceva dhe Raza Topuzova-Karevska, u bënë pjesë e trupave parlamentare.....

Tre deputetet e opozitës maqedonase, Lubica Buralieva, Sollza Gërceva dhe Raza Topuzova-Karevska, u bënë pjesë e trupave parlamentare.

Kuvendi miratoi propozim-vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për zgjedhjen e kryetarëve, zëvendëskryetarëve, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre të Komisioneve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, ku si anëtarë dhe zëvendës-anëtarë përfshihen edhe këto tre deputetet e opozitës, të cilat nuk respektuan vendimet e partive përkatëse për refuzimin e mandatit.

Silvana Boneva nga VMRO-DPMNE, disa herë përshëndeti vendimin e tre deputeteve opozitare që të përfshihen në punën e Kuvendit, ndërkaq akuzoi koalicionin opozitar, se me refuzimin po shkel Marrëveshjen e Marsit dhe Memorandumin që nënshkruan në shtator, për plotësimin e qëllimit strategjik për anëtarësimin e vendit në BE.

“Në pikën dy të Memorandumit, të gjitha partitë politike, përfshirë edhe LSDM-në, PLD-në dhe PRSD-në, u angazhuan qartë se do të abstenojnë nga veprime dhe aktivitete të cilat mund të pengojnë ose të ndikojnë negativisht në procesin qasës, krahas kësaj, mospajtimet dhe qëndrimet ndryshe do të tejkalohen me dialog të ndërsjellë në kuadër të institucioneve, duke mbajtur llogari para së gjithash për interesin e Shtetit dhe qytetarëve të saj. Kolegë të nderuar, sërish përshëndes pjesëmarrjen e këtyre zonjave në punën e Parlamentit”- deklaroi Silvana Boneva nga VMRO-DPMNE.

Në seancën e 10-të, Kuvendi, ndër të tjera, miratoi edhe propozim-ligjin për shlyerjen e njëhershme të borxheve të qytetarëve, Ligjin për marrjen dhe transplantimin e pjesëve nga trupi i njeriut për shërim dhe Ligjin për regjistër të posaçëm të personave të dënuar për pedofili. 

Ndërkaq, në procedurë të shpejtë parlamentare, me propozim të Qeverisë, ka hyrë edhe propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor; propozim-ligji për plotësimin e Ligjit për punësim dhe sigurim në rast të papunësisë; Propozim-ligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrëdhënie pune dhe propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontribut nga sigurimi i detyrueshëm social. (Shpëtim Nuredini, TVM2)