Botë

19 vjetori i Betejës së Koshares, Thaçi: Sfidat e Kosovës vazhdojnë; Haradinaj: Shqiptarët kurrë nuk i sulmuan fqinjët

09.04.2018 17:28

Në Kosovë u përkujtua 19 vjetori i Betejës së Koshares, apo siç njihet ndryshe shembja e kufirit shqiptaro-shqiptar nga ana e UÇK-së...

Në manifestimin e titulluar “Ditët e Shqipes”, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se në Betejën e Koshares, UÇK dëshmoi se kishte hyrë në një fazë më të lartë të rezistencës përfundimtare për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Por, ai tha se Kosova ende vazhdon të përballet me sfida dhe kërcënime.
 
“Edhe sot, Kosova dhe rajoni ballafaqohen me sfida, derisa Kosova ndonjëherë edhe me kërcënime të drejtpërdrejta nga Beogradi. Përgjigja e shtetit të Kosovës është e qartë, çdo kërcënimi do t’i përgjigjemi, si i jemi përgjigjur më herët, 19 vjet më parë”,- deklaroi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
 
Kosova duhet të jetë pjesë e NATO-s për t’i dhënë krahë paqes kudo në botë, deklaroi me këtë rast kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Shqiptarët asnjëherë nuk i kanë sulmuar tokat e fqinjëve, por ata gjithnjë luftuan për liri dhe mbrojtje të territoreve të tyre, tha Haradinaj. 
 
“Nuk shkuam në luftë për të poshtëruar popullsinë joshqiptare, por e bëmë që të mos ketë shkelje dhe padrejtësi, që të ndërtohet një shtet ku të gjithë ndihen të sigurt dhe ku frika i lë vend shpresës e ku pa dallim secili mund të krijojë lumturinë e vet. Shqiptarët asnjëherë nuk sulmuan tokat e fqinjëve dhe nuk ua cenuan lirinë, e duan paqen, por jo edhe nënshtrimin. Patën guximin t’i kapin armët të luftojnë për liri e dinjitet pa pyetur për çmimin”,- u shpreh kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. 
 
Kosova ka fituar pavarësinë dhe shtetësinë e saj falë rënies së dëshmorëve të kombit, siç janë: Agim Ramadani, Sali Çekaj dhe dëshmorët e tjerë të rënë në Koshare, u tha me këtë rast. Beteja e Kosharës është njëra nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku për herë të parë luftëtarët e UÇK-së u ndeshën në një luftë frontale me forcat serbe.
 
ERSAN PAJAZITI