Maqedoni
Të mërkurën, seancë për mocion mosbesimi. VMRO dorëzoi mocionin e mosbesimit të qeverisë
09.04.2018 18:04
Seanca për kërkesën e VMRO-DPMNE-së për të votuar mocion besimi të Qeverisë nuk është caktuar....

Seanca për kërkesën e VMRO-DPMNE-së për të votuar mocion besimi të Qeverisë nuk është caktuar, por, sipas të gjitha gjasave, kryeparlamentari Xhaferi këtë seancë do ta caktojë gjatë ditës së nesërme për ditën e mërkurë, njoftojnë nga Kuvendi Republikan.
Në ndërkohë, shërbimet e kuvendit kanë publikuar kërkesën e VMRO-DPMNE-së në ueb faqen e Kuvendit. Kërkesën për mocion e kanë nënshkruar 41 deputetë të koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE, me arsyetimin se Qeveria e Maqedonisë e kryesuar nga koalicioni LSDM dhe BDI në periudhën e kaluar ka treguar se nuk ka kapacitet që të drejtojë institucionet e pushtetit ekzekutiv.
“Në dhjetë muajt e kaluar LSDM dhe BDI i harruan programet e veta partiake parazgjedhore, pretimet para qytetarëve të RM-së dhe nuk realizuan asnjë projekt të vetëm dhe reformë me të cilat kërkuan besimin e qytetarëve” – thuhet në arsyetimin e parashtruesve të kërkesës për mocion, duke shtuar se kjo qeveri ka degraduar sistemin politik dhe juridik, duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet. “Për të mbajtur në jetë koalicion qeverisës, dhunshëm miratuan ligj të pazbatueshëm dhe të dëmshëm për dygjuhësi”, – thuhet më tej në arsyetimin.
Sipas VMRO-DPMNE-së, plani i qeverisë reformuese “3-6-9” ka pësuar kolaps total. Gjatë kësaj periudhe, Qeveria e ka ngarkuar shtetin me borxh prej 1.5 miliardë euro, ndërsa indikatorët ekonomikë janë në rënie të lirë.
Sa i përket marrëveshjes me Bullgarinë dhe bisedimeve rreth emrit, deputetët e VMRO-së akuzojnë pushtetin se nuk i janë përmbajtur paralajmërimeve për inkluzivitet dhe bashkëpunim me opozitën dhe kanë nxjerrë në ankand çështjet me interes kombëtar.
“Marrëveshja me Bullgarinë është asimetrike, ndërsa bisedimet me Greqinë zhvillohen pa konsensus të brendshëm”, – thuhet në arsyetim.
Për të rrëzuar qeverinë, koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE duhet të sigurojë 61 vota. Aktualisht, koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE nuk i ka në dispozicion as votat fillestare të siguruara në zgjedhje për shkak të braktisjes së koalicionit nga disa partnerë të saj dhe për shkak të deputetëve që janë në arrest shtëpiak dhe paraburgim.
Konform nenit 215 të Rregullores për punën e Kuvendit, kërkesa për mocion vihet në seancë në ditën e tretë nga dita e paraqitjes së mocionit për besimin e Qeverisë, ndërsa Kuvendi voton për mosbesimin e Qeverisë pas skadimit të ditës së tretë, nga dita e paraqitjes së mocionit për besim.
SHPËTIM NUREDINI
