Botë

Arrestohet Imami “gylenist”

09.04.2018 19:45

Vijon e ashpër fushata e autoriteteve turke kundër mbështetësve të klerikut në arrati Fetullah Gylen....

Policia turke arrestoi një prej drejtuesve të rrjetit të Gylenit në rajonin e Samsunit. Imami Murat Elmas, u kap në tentativë e sipër për tu arratisur drejt Greqisë me një jaht me flamur grek.
 
Ai u ndalua  në brigjet e Marmarasë së bashku me 5 bashkëpunëtorë të tij. Hetuesit thanë se ata mbanin me vete celularë të lidhur me të njejtin rrjet të koduar që  përdorën puçistët korrikun e 2016-ës.
 
Fushata kundër Gylenistëve është shtrirë në gjithë botën. Në Shqipëri drejtësia turke kërkon Nevzat Ajvaçinë, imamin nga Antalia që konsiderohet si koordinatori i financave të rrjetit global FETO.
 
Ai është mes 54 drejtuesve të lartë gylenistë për të cilët Gjykata e Lartë Penale turke u dërgoi javën e kaluar kërkesa për ekstradim 24 vendeve të botës. Në fillim të Prillit shërbimet sekrete turke zbuluan dhe arrestuan në bashkëpunim me policinë e Kosovës 6 “gylenistë”. 80 pjesëtarë të rangjeve të ulëta të organizatës janë arrestuar në një mënyrë të ngjashme në të gjithë botën./Tv Klan