Italia tronditet nga tërmeti
Një tërmet më magnitudë 4.7 është regjistruar mëngjesin e së martës në orën 5:11 në Itali në zonën e Maceratas e njohur tashmë për tronditjet e forta e të shpeshta të tokës...

Sipas Institutit Kombëtar të Gjeofizikës Italiane, thellësia e tërmetit është llogaritur në 9 km dhe ai është ndjerë fort edhe në Umbria.
Mbrojtja Civile është në kontakt me kryebashkiakët e zonave të prekura, të cilët deri në këto momente nuk kanë regjistruar të lënduar, por vetëm dëme, shkruan Corriere Della Sera.
Tërmeti me magnitudë 4.7 ballë është shoqëruar dhe nga të paktën 10 lëkundje të tjera më të vogla, gjë që ka bërë shumë banorë të lënë shtëpitë e tyre për të qëndruar në zona më të sigurta apo tek të afërmit.
Ndërkohë, në Pieve Torina, kryebashkiaku i vendit ka urdhëruar mbylljen e shkollave.
“Sot mbyllim shkollat. Kemi dëme materiale dhe po verifikojmë gjendjen e banesave”, shpjegoi Alessandro Gentiluçi.
Pas lëkundjeve sizmike, linja hekurudhore Trenitalia vendosi të pezullojë udhëtimet për të ushtruar kontrolle në hekurudhë.
Tronditjet sizmike të së martës sipas Institutit janë 500 herë më të dobëta se ato të 30 tetorit të vitit 2016, ku u regjistruan 64 lëkundje të ngjashme me ato të sotmet. Megjithatë frika dhe paniku janë kthyer në zonë.
