Botë

Erdogan: Do të ndëshkohen autorët e sulmit kimik në Duma

10.04.2018 13:46

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se përgjegjësit e sulmit të fundit kimik në Duma...

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se përgjegjësit e sulmit të fundit kimik në Duma të Sirisë do të japin llogari dhe do të paguajnë çmim të lartë.

"E dënoj këtë masakër në Gutën Lindore dhe Duma. Kushdo që e ka bërë, autorët e kësaj masakre do të japin llogari dhe do të paguajnë çmim të lartë për këtë",- tha Erdogan në një mbledhje të grupit parlamentar të partisë së tij në Ankara.

Njëherit ai e ka quajtur "qasje të gabuar" deklaratën e ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, i cili ka deklaruar se presin që Afrini t'i kthehet regjimit sirian, duke theksuar se rajoni ku Turqia është duke zhvilluar operacionin "Dega e Ullirit" do t'u kthehet banorëve të vendit.

"Ne e dimë shumë mirë se kujt do t'ia kthejmë Afrinin.Fillimisht le të flitet për dorëzimin e vendeve të tjera në Siri që aktualisht mbahen nën kontroll nga shtete të tjera. Kur të vijë koha ne do t'ia dorëzojmë Afrinin banorëve të tij. Por, koha për këtë na përket ne. Ne do ta caktojmë atë",- tha Erdogan.