Serovë, zjarr në mbeturinat e grumbulluara prej kohe
Në lagjen e Serovës në Shkup dikush ia vuri zjarrin mbeturinave.....

Në lagjen e Serovës në Shkup dikush ia vuri zjarrin mbeturinave që ishin grumbulluar një kohë të gjatë. Qytetarët thonë se herët në mëngjes me të parë tymin kanë vrapuar për të parë se mos po digjet ndonjë shtëpi, por kanë parë se dikush ua ka vënë zjarrin mbeturinave.
Banorët të cilët jetojnë në afërsi të zjarrit, të shqetësuar thonë se tymi nga zjarri po i helmon ata dhe fëmijët e tyre.
“Fëmijët tanë e thithin krejt këtë ajër, turp! Kjo është bërë deponi këtu. Kujt t’i kujtohet vjen dhe gjuan mbeturinat. A nuk është turp? Ne kemi fëmijë, ne kemi të sëmurë, pleq. Krejt ne e thithim këtë të keqen. Me hy më brenda është një deponi e madhe, kanë gjuajtur plot gjëra”,- theksoi një banor.
“Pengon, edhe atë pengon shumë. Ka edhe shumë mbeturina këtu. Jemi në mes të Qendrës, ashtu që këto mbeturina duhet të hiqen. Unë jetoj këtu 82 vite dhe kështu nuk ka ndodhur më parë”,- tha një banor.
Banorët e kësaj lagje theksojnë se kjo nuk është hera e parë që aty digjen mbeturinat. Ata ankohen se institucionet kompetente nuk kanë ndërmarrë masa për pastrimin e atyre mbeturinave, por një pjesë të fajit e pranojnë se e kanë edhe vetë ata pasi hedhin mbeturina në atë vend e jo në kontejner.(Ersan Pajaziti, TVM2)
