Ndryshime në Ligjin e arsimit fillor, një muaj afat për parashtrimin e vërejtjeve

10.04.2018 16:07

Para fillimit të vitit të ri shkollor 2018/2019, Ministria e Arsimit synon miratimin e Ligjit për arsimin fillor....

Para fillimit të vitit të ri shkollor 2018/2019, Ministria e Arsimit synon miratimin e Ligjit për arsimin fillor, njofton “TVM2”.

Për këtë qëllim MASh paralajmëron debat publik, ku sugjerimet, mendimet dhe vërejtjet për të njëjtin, brenda një muaji pritet t’i japin punonjësit në sferën e arsimit dhe të gjitha palët e interesuara. Ndryshimet e planifikuara, mes tjerash, parashohin që të vërtetohet numri maksimal i orëve, si dhe përjashtimi i mundësisë për mbajtjen e orëve gjatë vikendit, sepse të njëjtat janë treguar si joefikase.

“Vërtetohet numri maksimal i orëve për nxënësit, edhe atë për nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën më së shumti 20 orë në javë, për nxënësit nga klasa e katërt deri në klasën e gjashtë më së shumti 25 orë në javë, për nxënësit nga klasa e shtatë deri në të nëntën më së shumti 30 orë në javë. Për mësimdhënësit që nuk kanë mjaftueshëm orë parashihet që të angazhohen në mirëmbajtjen e ditarit elektronik”,- deklaroi ministrja e Arsimit, Renata Deskovska Trenevska.

Sipas Deskovskës, parashihet edhe zvogëlimi i numrit të nxënësve në paralele dhe zvogëlimi i numrit në paralelet e kombinuara.

“Në vend të numrit minimal prej 24 nxënësve, si prag minimal numri do të jetë 20 nxënës. Sipas propozim-ligjit, numri i nxënësve në paralele do të lëviz nga 20 deri në 30 nxënës. Tendenca është që i njëjti të jetë maksimum 24 nxënës, por për momentin jemi të vetëdijshëm për shkolla të mbingarkuara ku ka shumë nxënës dhe nuk ka kushte hapësinore për paralele më të vogla se 30 nxënës”,- theksoi ministrja e Arsimit, Renata Deskovska Trenevska.

Për nxënësit me nevoja të veçanta parashihet mundësi për formimin e shërbimeve mobile nga psikologë, defektologë dhe logopedë. Për nxënësit që janë në shërim shtëpiak më shumë se 3 javë parashihet arsimim në kushte shtëpiake, po ashtu parashihet evaluimi i shkollave dhe rangimi i tyre.

Arsimtarët e shkollave më mirë të ranguara do shpërblehen me 30 për qind dhe shkolla do ketë për obligim orientimin profesional të nxënësve. Deskovska bëri thirrje që të parashtrohen vërejtjet në mënyrë që të miratohet ligj cilësor i arsimit fillor. (Flutura Latifi, TVM2)