Viktimat e MH17-s, dërgohen në Holandë
Një ditë zie do të mbahet në këtë vend, në nder të atyre që humbën jetën nga rrëzimi i fluturimit MH17 mbi Ukrainë, javën e kaluar......

Trupat e parë të viktimave të avionit të “Malaysia Airlines”, do të dërgohen në Holandë për identifikim.
Një ditë zie do të mbahet në këtë vend, në nder të atyre që humbën jetën nga rrëzimi i fluturimit MH17 mbi Ukrainë, javën e kaluar.
Nuk ka më asnjë dyshim se “Boeing 777”, me 298 veta në bord, u godit nga një raketë, teksa kalonte mbi rajonet lindore të Ukrainës.
Treni me vagonë frigoriferikë, që transporton më shumë se 200 trupa të tragjedisë, mbërriti të martën në qytetin e Karkivit. Operacioni për gjetjen e viktimave të tjera dhe provave të një rëndësie kyçe në këtë çështje, vazhdon. 5 ditë nga rënia e avionit, në sytë e ndërkombëtarëve, e sidomos Amerikës, është e qartë se faji për rrëzimin e fluturimit MH17 i takon rebelëve pro-rusë. Por, zyrtarë të lartë amerikanë të inteligjencës, të cilët preferuan të ruajnë anonimatin, deklarojnë se shpjegimi më i mundshëm për fatkeqësinë është ngatërrimi i avionit për një mjet tjetër.
Gati një javë nga rrëzimi, po bëhet gjithmonë e më e besueshme se ka qenë e gjitha një gabim, thonë ata, duke shtuar se nuk është gjetur ndonjë lidhje e drejtpërdrejtë mes episodit tragjik dhe Moskës. Të tilla pohime e vënë Uashingtonin në pozitë të vështirë.
Që prej rrëzimit, zyrtarët atje nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë trumbetuar me të madhe përfshirjen e Moskës në këtë sulm.
Sekretari i Shtetit, John Kerry, madje e drejtoi publikisht gishtin nga Rusia, e tha se së shpejti, për rolin e saj në fatkeqësi, do të kishte prova dërrmuese. Por, derisa është dalë në përfundimin se Moska ka krijuar kushtet për rrëzimin e avionit, deri tani nuk ka as edhe një provë të qartë, që të dëshmojë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Qeverisë ruse. (Merita Gashi, TVM2)
