Botë
ShBA dërgon drejt Sirisë destrojerin “Donald Cook”
10.04.2018 16:27
ShBA-të janë të vendosura t’i kundërpërgjigjen përdorimit të fundit të armëve kimike që ka bërë regjimi i Asadit mbi civilët sirianë...

Kjo u tha gjatë seancës së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit, e cila u thirr me rastin e sulmit kimik mbi civilët në Duma të Sirisë. Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Halley, po ashtu akuzoi Rusinë se me përkrahjen që i ka dhënë regjimit të Asadit, ka zhytur duart e veta në gjakun e fëmijëve të vrarë sirianë.
“Vetëm një përbindësh mund të godasë civilët dhe pas kësaj të pengojë autoambulancat dhe ekipet të mbërrijnë tek të plagosurit. Aktualisht kemi tejkaluar thirrjet për ndërgjegje, pasi kemi arritur momentin kur bota duhet ta shohë zbatimin e drejtësisë, historia do ta regjistrojë këtë si moment kur Këshilli i Sigurimit tregoi se mundet ose jo të mbrojë popullin sirian. Si do që të jetë, ShBA-të do të përgjigjen kundër sulmit me armë kimike në Siri”,- theksoi ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley.
Nga ana tjetër, ambasadori rus, Vassily Nebenzia, u përgjigj në akuzat amerikane, duke adresuar një kundërakuzë se Uashingtoni po bën gjueti në ujëra të turbullta të Lindjes së Mesme, me çka po thellon kaosin atje.
“Kudo që shkoni dhe çfarëdo që prekni, prapa vetes lini vetëm kaos. Po tentoni të bëni gjah në ujëra të turbullta, një mori pyetjesh kërkojnë përgjigje. Nëse flasim me cinizëm, pse duhet të presim për tetë vjet të ndodhë gjithë kjo dhunë dhe të vendosim ta bëjmë këtë dy javë para zgjedhjeve presidenciale në Rusi dhe vetëm disa javë përpara Kupës Botërore, pas këtyre përgjigjeve fshihet cinizmi amerikan”,- theksoi ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia.
Ambasadori rus paralajmëroi se një aksion eventual amerikan në Siri do të ketë pasojë serioze. I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura, paralajmëroi Këshillin e Sigurimit se situata në Siri është më e rëndë se kurdo.
“Për herë të parë jam i shqetësuar për sigurinë ndërkombëtare dhe jo vetëm për sigurinë në Siri apo në nivel rajonal”,- tha i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan De Mistura.
Pak para mbajtjes së seancës së Këshillit të Sigurimit, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se brenda dy ditësh maksimalisht, ShBA-të do të vendosin konkretisht se cila do të jetë kundërpërgjigjja për sulmet në Siri.
“Kemi të bëjmë me humanizmin, prandaj gjëra të tilla nuk mund të lejohen. Ky është konflikti më madh i kohës dhe me krime të tmerrshme ne do të reagojmë ditëve në vijim”- u shpreh presidenti amerikan, Donald Trump.
Britania e Madhe në seancën në fjalë kërkoi një hetim për sulmin me armë kimike, ku si pasojë mbetën të vrarë 78 civilë.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar dy destrojerë në ujërat e Mesdheut pas paralajmërimeve për kundërpërgjigje ndaj sulmit me armë kimike ndaj popullsisë civile prej ushtrisë së presidentit Asad. Destrojeri amerikan "USS Donald Cook" la postin e Larnakas në Qipro dhe ndodhet tashmë në ujërat e Mesdheut Lindor, ndërsa një tjetër destrojer amerikan është parë të kalojë ngushticën e Gjibraltarit sot duke iu drejtuar të njëjtës zonë.
Ndërkohë, ushtria siriane dhe mbështetësit e saj rusë kanë filluar largimin e avionëve dhe helikopterëve nga bazat ku mendohet se mund të sulmohen.
FARIJE DAUTI BAKIJU
