Maqedoni
Nimic: Ndryshimet kushtetuese, pengesa më e madhe. Kocias në turne ballkanik, viziton Beogradin dhe Prishtinën
10.04.2018 16:45
Derisa Shkupi dhe Athina po përgatiten për takimin e së enjtes në Ohër të dy ministrave të jashtëm, Dimitrov e Kocijas...

Derisa Shkupi dhe Athina po përgatiten për takimin e së enjtes në Ohër të dy ministrave të jashtëm, Dimitrov e Kocijas, ndërmjetësuesi i OKB-së, Metju Nimic, u dërgoi letër palëve në të cilën i ka përmbledhur rezultatet nga bisedimet në Vjenë. Pengesa më e madhe në këtë fazë janë ndryshimet kushtetuese që kërkohen nga pala greke, citon “Alfa” greke letrën e Nimicit.
“Athina e vendos atë si parakusht bazik për arritjen e një marrëveshjeje, por Shkupi vazhdon të ruajë identitetin maqedonas dhe gjuhën në Kushtetutën e vetë. Sa i përket kontestit, linja bazë e bisedimeve greke është që emri i ri të përdoret si brenda ashtu edhe jashtë vendit dhe kjo të reflektohet në një ndryshim të Kushtetutës së IRJM-së”- theksoi Nimic.
Ndryshe, ministri i Jashtëm grek, Kotzias, ka nisur vizitën në Beograd, prej ku do të udhëtojë drejt Prishtinës. “Megjithëse Greqia nuk e ka njohur Kosovën, vizita e Nikos Kotziasit ka një mesazh pozitiv edhe në këtë nivel. Është njëkohësisht një lëvizje e vullnetit të mirë ndaj Tiranës, me të cilën shteti grek po negocion për një marrëveshje”,- shkruan gazeta greke “Protothema”. Por, fokusi më i madh do të jetë në vizitën e tij të enjtes në Ohër, ku pritet të takojë homologun Dimitrov në përpjekje për të përmbyllur marrëveshjen për zgjidhjen e çështjes së emrit.
Kryediplomati grek paraprakisht është shprehur optimist se takimi i tij me Dimitrovin do të jetë një hap i madh për zgjidhjen e çështjes së emrit. Nëse do të ketë zhvillime pozitive në Ohër, pritet shumë shpejt një takim mes kryeministrave, Aleksis Cipras dhe Zoran Zaev.
Burime diplomatike greke bëjnë të ditur se Athina mund të bëjë një hap prapa për ndryshimet kushtetuese, ku Kocias po mundohet të gjejë një zgjidhje të ndërmjetme. Nëse nuk arrihet marrëveshje deri në datat kritike 28 dhe 29 qershor kur do të mbahet Samiti i BE-së, dhe 11 dhe 12 korrik kur do të mbahet Samiti i NATO-s, mediat greke thonë se të dyja palët po rishikojnë plan alternativ për marrëveshje ndërkombëtare që do të lidhte Maqedoninë me NATO-n, por pa pasur statusin e anëtarit. Në një prononcim të tij, kryeministri Zaev ka thënë se kjo është opsion i mundur, por jo edhe zgjidhje përfundimtare. Takimi i Ohrit është i treti në nivel diplomatësh brenda 20 ditëve.
Ndërkohë, nënkryetari i Parlamentit Europian dhe shef i grupit të deputetëve evropianë të SYRIZA-s, Dimitris Papadimulis, në një intervistë për televizionin grek “Skaj” ka deklaruar se nuk duhet humbur mundësia që të zgjidhet problemi me emrin.
“Tani me Qeverinë e Zaevit u hap një dritare e mundësive. Vështirësitë ekzistojnë, për këtë shkak se ky problem ka mbetur i pazgjidhur 25 vjet, dhe koha punon në barrë të interesit të vendit. Në interesin tonë kombëtar është të gjejmë zgjidhje lidhur me këtë çështje”,- tha Papadimulis.
MERAL ISMAILI
