Protesta në rrugën Përshefcë - Jugonovcë, kërkohet zëvendësimi i gypave për ujitje

10.04.2018 17:25

Banorët e Preshefcës dhe Glogjës së komunës së Tearcës, në shenjë proteste kanë bllokuar rrugën Përshefcë - Jugonovcë...

Banorët e Preshefcës dhe Glogjës së komunës së Tearcës, në shenjë proteste kanë bllokuar rrugën Përshefcë - Jugonovcë, pasi ata vlerësojnë se projekti për rikonstruimin e rrugës nuk po shkon ashtu si duhet dhe se nuk po bëhen intervenime në gypat ku duhet të kalojë uji për vaditjen e fushave të tyre. Ata shprehen se edhe përkundër kërkesës që kanë bërë që gypat e dëmtuar të zëvendësohen, një gjë e tillë nuk u është marrë parasysh.

“Më së pari kur është bërë projekti është dashur të bëhen sanimet e gypave, e mandej të fillohet asfaltimi. Më duket se këtu gjithçka shkon mbrapsht. Ujë na nevojitet neve për vaditje, kjo ekziston me dekada dhe sot mbyllet, unë e shoh të paarsyeshme”,- theksoi një banor.

“Ata gypat janë të zënë të gjithë, janë diku rreth 50 metra ku duhet të ndërtohen, ata janë të thyer në mes rrugës, janë thyer nga kamionët që ecin mbi 40 ton. Ato gypa duhet të ndërtohen sa nuk është vendosur asfaltimi, ne ato fusha patjetër duhet të vadisim. Nëse vendoset asfalti ne do të thyejmë dhe ato fusha duhet të vaditen”,- deklaroi një banor.

“Ata gypa janë vendosur më shumë se 60 vite, janë të dëmtuar jo nga ana e popullatës por nga mbipesha e ngarkuar e kamionëve që kalojnë në këtë rrugë”,- tha një banor.

Kërkesa e banorëve u mbështet edhe nga kryetari i Tearcës, Isen Asani, i cili bëri të ditur se edhe komuna e Tearcës ka bërë kërkesë që para se të bëhet puna finale e asfaltimit të intervenohet në gypat e dëmtuar.

“Ne kemi pranuar kërkesë nga dy bashkësitë lokale të fsh. Përshefcë dhe të asaj të Gllogjës, duke parë realizimin e punëve që punohet në rrugën regjionale nga aksi rrugor Përshefcë  në drejtim të komunës së Jugonovcës. Dërguam ekip profesional, konstatuam gjendjen faktike. Në këtë rrugë ka të vendosur gypa për vaditje, ata janë vendosur para pesë dekadave dhe janë jofunksionalë. Ne u kemi dërguar shkresë Agjencisë për rrugë shtetërore pra Ndërmarrjes publike më 19.03.2018., por përgjigje nuk kemi marrë. Ata gypa duhet të sanohen, të rehabilitohen, të vendosen të rinj”,- theksoi kryetari i komunës së Tearcës, Isen Asani.

Protestuesit paralajmëruan se nëse deri të premten nuk merret parasysh kërkesat e tyre, do bllokojnë edhe rrugën regjionale Tetovë –Jazhincë, si dhe do t’i ndërpresin punimet për rregullimin e rrugës Përshefcë - Jugonovcë. (Visari Sadiki, TVM2)