Maqedoni
Gjykimi për Selën, Xheferi identifikon pesë sulmues
10.04.2018 17:56
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, ministri i Shoqërisë Informatike, Damjan Mançevski, dhe sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski...

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, ministri i Shoqërisë Informatike, Damjan Mançevski, dhe sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski, gjatë dëshmisë në Gjykatën Penale kanë arritur të identifikojnë disa nga të akuzuarit për tentim vrasjen e Ziadin Selës. Xhaferi dëshminë e tij e filloi me sqarimin për ndodhitë në pres qendrën e Kuvendit, ndërsa nuk saktësoi sulmuesit e Selës.
“Selën e kam parë kur qëndronte në krahun tim të majtë, nuk ka pasur lëndime të dukshme. Më pas, duke u përgjigjur në thirrjet telefonike, Sela kishte dalë nga salla. Nuk e pashë kur dhe ku shkoi. Pastaj dëgjova protestuesit që bërtitnin “me Selën mbaruam, tani është radha juaj””,- theksoi Xhaferi.
Para trupit gjykues ai deklaroi se me plot përgjegjësi arrin të identifikojë pesë nga të akuzuarit, pasi që ishin protestuesit e parë që u futën brenda sallës para se të formohej kordoni mbrojtës. Ai më tej sqaroi se gjithandej dëgjoheshin brohoritje dhe kërcënime të llojit “të gjithëve do t’u mbysim”, “nuk do të dilni gjallë nga këtu”, “tradhtarë” etj. Xhaferi po ashtu theksoi se përleshja ka qenë fizike duke gjuajtur me sende të forta ndaj grupit të deputetëve ku ishte edhe Sela dhe Zaevi.
Përpos Xhaferit, edhe Mançevski dhe Kiracovski arritën të identifikojnë disa nga të akuzuarit në këtë rast. Ai tha se në largësi prej10-15 metra ka parë në tokë një person të shtrirë të cilin e goditin me grushta dhe shkelma, ndërsa ai lëkundej nga goditjet. “Më vonë u dëgjua një zë që Selën e shpallën të vdekur, pas çka protestuesit filluan të festojnë”,- tha Mançevski. “Ata na kërcënuan ne dhe familjet tona teksa lidhnin kabllot rreth qafës për të na dërguar mesazh se ne e kemi radhën”.
Kiracovski tha se grupi që u fut në Kuvend dukej si një hordhi e çmendur që në të vërtetë kishte për qëllim të vrasë dikë, dhe se për këtë nuk ka dilema. Sipas tij, atë natë deputetët i ka shpëtuar Zoti, vetëpërmbajtja, si edhe sigurimi i Zoran Zaevit e Oliver Spasovskit.
Avokati i Ziadin Selës, Abidin Abduli, vlerësoi si pozitive identifikimin e të akuzuarve nga ana e dëshmitarëve, duke shtuar se kjo do të ndihmojë më shumë në zbardhjen e plotë të rastit.
“Deklaratat e sotme vërtetuan aktakuzën e ngritur ndaj të akuzuarve. Të dy dëshmitarët jo vetëm që arsyetuan aktakuzën, por të njëjtit i identifikuan një pjesë të të akuzuarve për tentim vrasje të Ziadin Selës”,- u shpreh avokati i Ziadin Selës, Abidin Abduli.
Për sulmin ndaj kreut të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Selës, akuzohen dhjetë persona.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
