Botë

Merkel: Gazsjellësi Rusi-Gjermani, pas qartësimit të rolit të Ukrainës

10.04.2018 19:42

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bërë të ditur se tubacioni i ri i gazit që lidh Rusinë dhe Gjermaninë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bërë të ditur se tubacioni i ri i gazit që lidh Rusinë dhe Gjermaninë, nuk mund të vazhdojë pa pasur qartësi për rolin e Ukrainës, si rrugë transit për këtë tubacion.
 
“E kam bërë shumë të qartë se “Rrjedha Veriore 2” është e pamundur pa qartësimin e rolit të Ukrainës”,- tha Merkel gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin ukrainas, Petro Poroshenko.
 
Merkel ka thënë se kjo nuk “është vetëm çështje ekonomike, por ka edhe konsiderata politike”. Projekti i gazit “Rrjedha Veriore 2”, që kalon nga Rusia përmes Detit Baltik për në Gjermani, do të dyfishonte kapacitetin vjetor të tubacionit ekzistues “Rrjedha Veriore” për rreth 55 miliardë metra kub. Por, kritikët thonë se kjo gjë do të rrisë varësinë ndaj gazit rus. Merkel ka këmbëngulur se Ukraina do të mbështetet fuqishëm në tarifat që do të paguhen për transit. 
 
Në një intervistë për të përditshme gjermane “Handelsblatt” më 9 prill, presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, i ka bërë thirrje Berlinit që të heq dorë nga ndërtimi i projektit “Rrjedha Veriore 2”, duke thënë se ky projekt do të mundësonte “bllokadë ekonomike dhe energjetike” kundër Ukrainës.
 
Edhe Polonia dhe vendet baltike e kundërshtojnë këtë projekt, ndërkaq zyrtarët amerikanë po ashtu kanë folur kundër tij.