Shqipëri – Kosovë drejt marrëveshjes për pensionet
Në parlamentin shqiptar Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë...

Në parlamentin shqiptar Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, ka miratuar në unanimitet në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për vërtetimin e periudhave të sigurimit për realizimin e së drejtës për pension”.
Miratimi i kësaj marrëveshjeje nga parlamenti shqiptar do t’i japë mundësinë shqiptarëve në të dy anët e kufirit të mos humbasin periudhat e tyre kontributive, pavarësisht se ku punojnë, në Shqipëri apo Kosovë.
Në relacionin përkatës mbi marrëveshjen, jepen përcaktimet lidhur me palët kontraktuese si: autoritetet, institucionet, periudhat e sigurimit, legjislacioni, i siguruari, pensioni, vendbanimi, anëtar i familjes; etj, sipas legjislacioneve përkatëse të të dy vendeve. Gjithashtu, përcaktohet fusha e zbatimit ligjor dhe ajo personal si dhe trajtimi i barabartë i shtetasve lidhur me të drejtat dhe detyrimet për plotësimin e kushteve dhe pagesën e përfitimeve. Institucioni kompetent, i cili vërteton të drejtën për pension, në përputhje me këtë marrëveshje, kryen pagesën e pensionit për personat, të cilët i plotësojnë kushtet sipas kësaj marrëveshjeje.
Në pjesën e tretë jepen dispozita të tjera, që kanë të bëjnë me shkëmbimin e informacionit, lehtësirat fiskale, njohjen e vërtetimeve, komunikimin ndërmjet autoriteteve kompetente dhe institucioneve kompetente si dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
