Maqedoni
Bisedimet për emrin në Ohër, Dimitrov: pres bisedime esenciale
11.04.2018 15:18
Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, pret që nesër në Ohër të ketë biseda esenciale për emrin me homologun e tij grek, Nikos Kocijas...

Dimitrov pohon se negociatat janë në fazë delikate, por gjithsesi është optimist se takimi do të sjellë progres në tejkalimin e dallimeve rreth kontestit shumëvjeçar.
Gjithsesi, takimit të nesërm në Ohër që pritet të fillojë herët në mëngjes, do t’i paraprijë një takim joformal sonte midis Dimitrovit, Kocijasit dhe ministrit të Jashtëm të Ukrainës, Pavlo Klimkin.
“Është një çështje kaq e rëndësishme, e cila, sipas definicionit, do të thotë se të gjitha raundet e bisedimeve janë të vështira. Kuptohet që pres bisedime esenciale. Shpresoj për progres. Mendoj se sjellja e Republikës së Maqedonisë dhe e fqinjit tanë, Greqisë, në kuadër të procesit, sinjalizon se procesi është në një fazë delikate dhe jemi të fokusuar pikërisht në këto bisedime. Shpresoj që do të na ndihmojë edhe vendi ku mbahet ky raund i ri bisedimesh, në Ohër, në perlën e vendit tonë”,- u shpreh ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.
