Ekonomi

Banka Botërore: Anëtarësimi në NATO dhe BE, siguri për investuesit

11.04.2018 15:28

Pas ngecjes ekonomike për disa vite, për shkak të krizës politike, ditë më të mira e presin ekonominë e vendit...

Pas ngecjes ekonomike për disa vite, për shkak të krizës politike, ditë më të mira e presin ekonominë e vendit, tregojnë raportet e Bankës Botërore që parashikon trend pozitiv në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ka parashikime pozitive edhe për ekonominë e Maqedonisë.
 
Nga Banka Botërore theksojnë se integrimi i Maqedonisë në strukturat euroatlantike do ta ketë ndikimin e saj pozitiv edhe në fushën e ekonomisë. 
 
“Ndikimi në ekonomi i krizës politike në Maqedoni ka qenë më i madh se sa është pritur. Rritja ekonomike ngeci në zero në vitin 2017, për shkak të uljes së madhe të investimeve. Por, ekonomia veç më fillon të zhvillohet në vitin 2018, si rezultat i rritjes së konsumit dhe kthimit të investimeve. Integrimi i Maqedonisë në NATO dhe BE mundet t’i përshpejtojë reformat strukturore, me çka do të rrit sigurinë e investitorëve. Me rritjen e investitorëve do të përshpejtohet rritja ekonomike, që do të ndihmojë në konsolidimin fiskal”,- theksoi drejtori i Banka Botërore për Maqedoninë, Marko Montovanelli.
 
Përveç angazhimit për konsolidim fiskal, Banka Botërore sugjeron dhe zbatimin e reformave tatimore, përmirësimin e cilësisë dhe efikasitetit të shpenzimeve sociale, sigurimin e qëndrueshmërisë së sistemit të pensioneve si dhe përmirësimin e menaxhimit financiar publik dhe investimeve publike.
 
Nga Banka Botërore theksojnë se për Maqedoninë problem vazhdon të jetë menaxhimi me të hyrat publike.  
 
“Maqedonia në pjesën e të hyrave është në vendet më ulët të ranguara në Europë, më poshtë se ne janë vetëm Kosova dhe Shqipëria. Në atë aspekt, ne vlerësojmë se kemi hapësirë për rritje të të hyrave. Ndërsa, këto të hyrat që do të mblidhen, të shfrytëzohen për qëllime produktive, e jo siç kemi hasur në të kaluarën, që të shfrytëzohen më shumë për rritjen e transfereve sociale”,- tha eksperti i Bankës Botërore, Bojan Shimbov.
 
Në raportin për Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore ka ulur parashikimet për rritjen ekonomike për vitin 2018, nga 3.3% në 3.2%, duke paralajmëruar se reformat strukturore janë të nevojshme nëse rajoni dëshiron të rritet qëndrueshëm në periudhën afatmesme.
 
Banka Botërore po ashtu pret që rajoni, pra Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Serbia, të ketë një rritje prej 3.5 për qind në vitin 2019, nga 3.6 sa kishte parashikuar në raportin e nëntorit 2017.
 
ERSAN PAJAZITI