Zgjerimi i koalicionit qeverisës, Boshnjakovski: Është herët, po bisedohet akoma
Zgjerimi i koalicionit qeverisës akoma ndodhet në fazën e negociatave midis subjekteve politike...

Zgjerimi i koalicionit qeverisës akoma ndodhet në fazën e negociatave midis subjekteve politike. Marrëveshja është përmbyllur vetëm me Partinë Demokratike Turke, teksa me partitë tjera akoma po bisedohet, njoftuan nga qeveria.
“Me partinë turke po, ka një marrëveshje. Ata janë në një mënyrë pjesë e qeverisë. Për të gjitha informacionet tjera është akoma herët që të flitet. Kryeministri paralajmëroi se deri në fund të prillit do të rrjedhë ky proces, kështu që mbetet që të presim dhe ta shohim. Në momentin kur do të kemi vendim, do të informoheni”,- theksoi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
SHPËRNDARJA E ADMINISTRATORËVE, HOXHA: PRESIM TË KETË SUKSES FAZA E PARË
Ndërkohë, sa i përket shpërndarjes së administratorëve shqiptarë, nga qeveria thonë se nga 958 administratorë të cilët janë shpërndarë nëpër vende të punës, 90% prej tyre kanë dhënë pëlqimin. Pritet edhe të tjerët të nënshkruajnë kontratën, ndërsa nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, do të kalojnë në listën transfere, prej ku do të presin sistematizimin e tyre.
“Shpresojmë se kjo fazë e parë apo ky plan i parë do të kryhet me sukses dhe do të vijojmë në fazën tjetër të sistematizimit të tërësishëm të të gjithë administratorëve të cilët janë pranuar me K5 - programin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat”,- tha zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.
Zëdhënësi Hoxha njoftoi gjithashtu edhe se në rrjedhë e sipër janë përgatitjet për mbledhjen e përbashkët midis qeverisë së Maqedonisë dhe asaj të Kosovës, ndërsa në fokus do të jetë bashkëpunimi ekonomik, lidhjet infrastrukturore dhe këmbimi i përvojave për proceset e integrimit. (Naim Ramadani, TVM2)
