Funksionaliteti i Kuvendit, “Takimi i liderëve” ia merr primatin Parlamentit
Maqedonia edhe pse ka demokraci parlamentare, Parlamenti republikan nuk ka zgjidhur asnjë krizë...

Maqedonia edhe pse ka demokraci parlamentare, Parlamenti republikan nuk ka zgjidhur asnjë krizë më të madhe politike që nga mëvetësimi.
Primatin ia ka marrë institucioni “Takim liderësh”, ndërsa Kuvendi vetëm ka formalizuar zgjidhjet në formë konstitucionale. Sipas profesorit, Nenad Markoviq, kjo mënyrë e veprimit nuk është nxitur asnjëherë nga faktori ndërkombëtar, por është pranuar si i tillë pasi ka rezultuar efikas.
“Nga mëvetësimi deri më sot, praktikisht asnjë krizë politike nuk është zgjidhur në Kuvend me forca politike endogjene dhe ky është një fakt dëshpërues. Kuvendi më shumë ngjan si dëm kolateral sesa si gjenerator krize. Ajo fillon, ngrihet në nivel liderësh dhe sërish kthehet në Kuvend, ku përmes ndonjë legjislative formale duhet t’i zgjidh ato kriza”,- deklaroi Nenad Markoviq nga Fakulteti juridik “Justiniani I”.
Kulmi i degradimit të Kuvendit, sipas deputetes së LSDM-së, Frosina Remenski, ka qenë 27 prilli i vitit të kaluar, kur u shpërthyen dyert e Kuvendit.
“Dhe, ndoshta, përpjekja e 27-shit ishte që të digjet Kuvendi dhe të mos funksionojë, absolutisht. Me këtë të jepet mesazhi se ne demokracia parlamentare si regjim, politikisht nuk na pëlqen”,- u shpreh deputetja e LSDM-së, Frosina Remenski.
Por, edhe pas këtij akti dhe ndryshimit të pushtetit, Kuvendi nuk po e merr rolin e merituar. Bojkoti i opozitës dhe kundërshtimi i presidentit për të dekretuar Ligjin për gjuhët janë sfidat e reja.
“Edhe unë jam i frustruar si deputet, pse të miratojë ligje për të cilat populli më ka zgjedhur kur mund t’i kujtohet një presidenti, që atë ligj të mos e dekretojë dhe me vetëdije ta shkel kushtetutën”,- u shpreh deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi.
Opozita u shpreh e pakënaqur nga veprimi i shumicës në Kuvend. “Na pamundësohet fjala e lirë, ndërsa amendamentet tona as që merren parasysh”- akuzoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev.
“Mendoj se që para dy javësh ne nuk guxojmë të parashtrojmë amendamente. Cili është roli i deputetit?! Deputeti duhet të flasë dhe të parashtrojë amendamente. A mund të flasë?! Nuk mund të flasë. A mund të parashtrojë amendamente?! Nuk mund të parashtrojë amendamente. Atëherë pse ka imunitet deputeti?! Deputeti ka imunitet që të mund të flasë lirshëm, pa pasoja”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev.
Në diskutimin se si mund të fitojë vendi një Kuvend funksional, diskutantët veçuan anomalitë, ndërsa zgjidhja shihet te ndryshimi i Kodit Zgjedhor, pavarësimi i deputetëve në vendimmarrje dhe dialogu politik.
Sondazhet e cituara në diskutim thonë se perceptimi i qytetarëve ndaj Kuvendit dhe deputetëve është i tillë që pjesa dërmuese vlerësojnë se deputetët janë në ndikim absolut të liderit të partisë dhe nuk vendosin sipas bindjeve të tyre, ndërsa deputetët e partive të ndryshme kanë marrëdhënie armiqësore. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
