Maqedoni

Ligji për arsimin e lartë, universitetet me vërejtje për financat

11.04.2018 16:39

Propozim ligji për arsim sipëror bën hap para në funksionimin e universiteteve, por nuk paraqet zgjidhje të plotë...

Prorektorët e Universitetit të Tetovës dhe të atij “Nënë Tereza”, kërkojnë më shumë financa si dhe autonomi për universitetet. Në “Argument” në TVM2, prorektori i UT-së, Arbër Çeliku, tha se me propozim ligjin e ri lihet hapësirë që të lobohet prej gjitha qarqeve jashtë universitetit në përzgjedhjen e rektorit, ndërkaq me financat, sipas tij, as që mund të hulumtohet.
 
“Me 5 milion euro që i ndahen Universitetit të Tetovës në mënyrë permanente, problem është se as nuk mund të hulumtosh me ato mjete që ndahen. Prandaj nuk mund të bësh vetëm ndryshim ligji pa mos pasur strategji financiare. Zgjedhja e rektorit bëhet nga këshillat mësimorë shkencorë të fakulteteve dhe ka një iniciativë private prej shtatë profesorëve që mund të bëhet në forma të ndryshme dhe mund edhe prej jashtë universitetit të ketë organizime dhe unë mendoj se nuk e kemi atë traditë për të ruajtur balancin dhe mund të kemi një mish-mash në të ardhmen”,- deklaroi prorektori në Universitetin e Tetovës, Arbër Çeliku.
 
Ndërkaq, Bekim Fetai, prorektor në UNT, thotë se puna e universiteteve duhet të rishikohet me evoluim të jashtëm dhe financimi i universiteteve të distancohet prej numrit të studentëve.
 
“Numri i studentëve nuk duhet të lidhet aspak me financimin. Kemi shumë drejtime të cilat në aspekt komercial nuk janë të leverdishëm për universitetin, p.sh. artet e ndryshme, ato nuk kanë shumë studentë dhe nëse këto i ndërpresim, ato nuk do të mund të funksionojmë, kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi nevojë për art”,- theksoi prorektori në Universitetin “Nënë Tereza”, Bekim Fetai.
 
Bashkim Ziberi thotë se universitetet nuk janë gati për një autonomi të plotë, sepse, sipas tij, prej fillimit deri në fund sistemi i arsimit të lartë në Maqedoni ka degjeneruar.
 
“Në Këshillin për akreditim na vijnë lloj-lloj programesh nga më të ndryshmet për akreditim, futen profesorë që nuk janë të profilit, futen programe studimore që universitetet nuk mund  fare t’i realizojnë me sukses si duhet. Këta programe kur vijnë te ne kanë kaluar Këshillin Arsimor Shkencor, Këshillin e Senatit, pra kanë kaluar gjitha ato hallka të akademikëve që ne pretendojmë se na duhet gjithë kjo autonomi”,- u shpreh anëtari në Këshillin Për Akreditim, Bashkim Ziberi.
 
Ziberi thotë se Ligji i arsimit të lartë brenda katër viteve ka ndryshuar mbi 20 herë dhe kjo, sipas tij, pritet të jetë një zgjidhje më adekuate. Propozim ligji tashmë e ka kaluar fazën e parë në Kuvend, ndërkaq pritet të kalojë edhe filtrat tjerë të komisioneve para se të votohet.
 
MERAL ISMAILI