Maqedoni

Qendra Teatrore për Fëmijë, Mjaku: Këtë vit, tre premiera dhe 100 repriza; Aziri: 1.800.000 denarë buxhet për QTF-në në vitin 2018

11.04.2018 17:00

Qendra Teatrore e Fëmijëve në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, sivjet ka buxhetin e mjaftueshëm për të organizuar më shumë shfaqe për spektatorët e vegjël....

Saktësisht sivjet do të realizohen tre premiera me rreth 100 repriza, falë buxhetit historik prej 1 milion e 850 mijë denarësh, që i është ndarë qendrës nga Ministria e Kulturës, thotë drejtuesi i qendrës, Bajrush Mjaku. 
 
“Ne për çdo vit kemi realizuar vetëm nga një shfaqe në Qendrën Teatrore për Fëmijë, sidomos në 5 vitet e fundit, pasi nga Ministria e Kulturës as që e kanë pasur parasysh dhe kanë ndarë një shumë prej 500 mijë denarësh, e cila ka qenë një shumë simbolike për të thënë: urdhëroni bëni nëse mund të bëni. Për herë të pare këtë vit në hapësirat e Qendrës Teatrore për Fëmijë do të realizohen tri shfaqe për fëmijë. Sivjet në hapësirat e Qendrës Teatrore për Fëmijë do të ketë repertor të rregullt të shfaqjeve për fëmijë, ku minimum do të realizohen 100 repriza”,- tha drejtori i Qendrës Teatrore për Fëmijë, Bajrush Mjaku.
 
Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Haziri, sot vizitoi qendrën për të premtuar vazhdim të mbështetjes për këtë qendër teatrore kaq specifike.
 
“Ne si ministri e Kulturës e kemi për borxh që këtë institucion ta ndihmojmë deri në fund. Është një buxhet që për herë të parë i ndahet këtij institucioni, përafërsisht një milion e 800 mijë denarë, një buxhet që ky institucion të rimarrë veten pas disa vitesh anashkalim që i është bërë”,- theksoi sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri.
 
Qendra Kulturore e Fëmijëve në Shkup aktualisht përpiqet të mbulojë mungesën e teatrit të fëmijëve në gjuhën shqipe në Maqedoni. Aktorët e kësaj qendre japin shfaqe në më shumë qytete të vendit, madje edhe në Kosovë. Prandaj, mbështetja financiare nga Ministria e Kulturës është më se e domosdoshme, pasi QKF aktualisht është i vetmi teatër për fëmijë që jep shfaqe në shqip. 
 
GYLTENE SINANI