Maqedoni

Rasti “Tanku”, gjykim maratonë për Mercedesin luksoz. Gruevski: Dëshmitë, të pabaza dhe joligjore

11.04.2018 17:16

Ka vazhduar gjykimi maratonë për rastin “Tanku” që ka të bëjë më Mercedesin luksoz prej 600 mijë eurosh...

Ka vazhduar gjykimi maratonë për rastin “Tanku” që ka të bëjë më Mercedesin luksoz prej 600 mijë eurosh ku të akuzuar janë: Nikolla Gruevski, Gordana Jankullovska dhe Gjoko Popovski. Gjykimi i pamundësoi Gruevskit që të marrë pjesë në interpelancën në Kuvend.
 
Gjatë seancës u dëgjuan dëshmitarë dhe u shqyrtuan dëshmitë me shkrim që ka siguruar PPS gjatë hetimit, ndërsa nuk munguan ankesat e shumta disaorëshe të palës mbrojtëse në këtë rast, të cilat u refuzuan nga ana e gjykatëses.
 
Lidhur me këtë reagoi edhe vetë ish-kryeministri Gruevski, i cili tha se kërkesat e avokatëve bëhen me qëllim që i tërë opinioni të kuptojë se dëshmitë e propozuara nga Prokuroria janë të pabaza. Ai tha se kjo është ajka politike gjyqësore kundër tij dhe bashkëpunëtorëve të tij, ku ai akuzohet vetëm për disa vozitje me veturën Mercedes. Ai vazhdon t’i vlerësojë si joligjore dëshmitë e propozuara nga PPS.
 
“Deri më tani, siç e patë, dëshmi dhanë 15 dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria, asnjëri kundër nesh. Dy prej tyre thanë se aspak nuk kanë marrë pjesë në proces, ndërsa të tjerët deklaratat e tyre i dhanë në favorin tonë. Në asnjë vend në botë përgjimet e siguruara në mënyrë joligjore nuk pranohen në gjykatë si dëshmi, pasi janë të paligjshme dhe ajo paraqet selektivitet. Ju mund të keni incizuar 100 biseda, ndërsa ato mund t’i ndajnë dy dhe të nxjerrin një tezë që u shkon në favor për çështje politike”,- deklaroi i akuzuari, Nikolla Gruevski.
 
Në listën e dëshmive ishin edhe dokumentacioni për thirrjen publike që ka të bëj me sigurimin e veturës së blinduar, plani vjetor për furnizime publike në MPB, marrëveshje për shitblerje etj. Në seancën paraprake për këtë rast, që zgjati për rreth 11 orë, u dëgjuan bisedat e përgjuara të siguruara si dëshmi.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI