Maqedoni
Raporti i “Freedom House”: Maqedonia, “pika e ndritur” e Europës
11.04.2018 17:33
Demokracia e Maqedonisë dhe mënyra e qeverisjes kanë shënuar përmirësim për herë të parë që nga viti 2010...

Kështu vlerëson “Freedom House” në raportin e Kombeve në Tranzicion, i cili vlerëson reformat demokratike në 29 ish vende komuniste në Europën Qendrore dhe Azi.
Në raportin e “Freedom House”, vendi ynë, së bashku me Uzbekistanin dhe Estoninë, u veçua si një "pikë e ndritshme" për vitin e kaluar. Maqedonia është theksuar si një vend me shansin më premtues për përparimin demokratik në Europë.
Me një rezultat prej 4.36, nga një shkallë prej 1 deri më 7, vendi gjithsesi ende mbetet në kategorinë e pushtetit në transicion ose regjimit hybrid. Gjithsesi, ka vetëm një përmirësim të vogël në krahasim me rezultatin historikisht më të keq të vitit të kaluar për vendin, që ishte 4,43. Por, padyshim që rezultati i fundit është ndryshimi i parë pozitiv që nga viti 2010 kur rezultati ishte 3,79 dhe për shtatë vjet rresht ai vetëm ka rënë. Raporti vlerëson përkushtimin e qeverisë, për të çliruar shtetin nga kapja që u ishte bërë institucioneve nga pushteti i kaluar.
“Qeveria e re është përkushtuar fuqimisht të çlirojë shtetin nga kapja që kishte bërë VMRO-DPMNE-ja. VMRO-DPMNE-ja po lufton me të gjitha forcat që t’i mbajë jashtë burgut zyrtarët e saj të lartë duke bërë obstruksione në punën e parlamentit dhe përpiqet t’i ndez ndjenjat nacionaliste maqedonase”,- thuhet në raportin e “Freedom House”.
Sipas raportit, çelësi i parë për suksesin e qeverisë së re maqedonase është zgjidhja e mosmarrëveshjes së emrit me Greqinë, e cila do të hapë rrugën për anëtarësimin në BE dhe NATO dhe do të sigurojë mbështetje ndërkombëtare.
“Qeveria e re meriton mbështetje të fortë nga ShBA dhe BE, duke përfshirë presionin mbi Greqinë për të zgjidhur mosmarrëveshjen e emrit dhe përpjekjet për të ndihmuar në procesin e dhimbshëm të çlirimit nga shteti i kapur",- thuhet në raport. Por, megjithëse vendi ka rezultatin më të mirë në fushën e shoqërisë civile, Maqedonia mbetet gjithashtu në rezultatin më të keq në pavarësinë e medias, një ndër nga rezultatet më të këqija demokratike në Ballkan, më i mirë vetëm se ai i Kosovës dhe e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Në përgjithësi, raporti vë në dukje rënien më të madhe demokratike në historinë 23-vjeçare të këtij projekti. Vitin e kaluar, 19 prej 29 vendeve shënuan përkeqësim të rezultateve demokratike, ndërkohë që ky ishte viti i dytë i njëpasnjëshëm në të cilin kishte më shumë regjime autoritare të konsoliduara sesa demokraci të konsoliduara.
BESIM ABDULLAI
