Maqedoni
Debate të ashpra në Kuvend, Qeveria përballet me mocionin e mosbesimit
11.04.2018 17:50
Në Kuvendin e Maqedonisë vazhdon seanca e 42, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës...

Në Kuvendin e Maqedonisë vazhdon seanca e 42, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës është çështja e mosbesimit të Qeverisë e dorëzuar nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së. Opozita maqedonase akuzon se ekzekutivi aktual është qeveria më e paaftë, më jodemokratike, më jopunëtore dhe më kriminele në historinë e Maqedonisë.
“Atë nuk e flas unë dhe deputetët e VMRO-DPMNE-së, por edhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Kjo qeveri ka treguar dhe dëshmuar se nuk ka kapacitet për udhëheqjen e institucioneve nga pushteti ekzekutiv. Në vend që t’i përveshni krahët dhe t’i zgjidhni problemet e qytetarëve, ju punoni vetëm për interesa partiake dhe personale”,- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Danev.
“Pas një viti të kësaj qeverie, puna e vetme që është bërë është ligji për gjuhët me qëllim që të formohet shumica parlamentare… Mua më vjen keq që Qeveria e Maqedonisë ka zëvendëskryeministër që thotë se për emrin është gjithçka e pranueshme. Keni shkatërruar çdo gjë, për atë kemi dhe propozime të nivelit të ulët për çështjen e emrit, sepse ata shohin se ju lehtë i shisni gjërat”,- u shpreh Vllatko Gjorçev nga VMRO-DPMNE.
Por, këto pohime u hodhën poshtë nga deputetët socialë-demokratë.
“Është dëshpëruese dhe joserioze që të arsyetoni kthimin tuaj në Kuvend. Në sqarimin e interpelancës shihet qartë se nuk ka objektivitet, por vetëm gënjeshtra. Në tërë interpelancën nuk ka asnjë kritikë kundër ministrave të BDI-së. Ju jeni të njëjtët deputetë që i dëgjuat “bombat”, ishit në natën e përgjakshme të 27 prillit. Thoni vetëm gënjeshtra, asgjë tjetër”,- theksoi deputeti i LSDM-së, Tomisllav Tuntev.
Edhe Aleanca për shqiptarët kishte vërejtje për punën e qeverisë.
“A ka hapësirë për t’u kritikuar qeveria? Ka! Sepse çdoherë ka punë që nuk shkojnë. Tek qytetarët shqiptarë ekziston shqetësimi se tek shqiptarët ende nuk ka arritur demokracia sepse tek ne qeveris një subjekt politik dhe nuk ka ndryshime. Në këto 16 vite, qeveria çdoherë përzihet në partitë politike shqiptare, që ta kontrollojë dëshirën politike tek qytetarët shqiptarë. Kryeministri ju tha shqiptarëve, këta kandidatë duhet t’i votoni sepse këta janë kandidatët që më duhen mua, por shqiptarët nuk e dëgjuan atë. Ai i kushtëzonte që të votojnë kandidatët e tyre duke u thënë se po i votuat ata do të keni investime, që nënkupton po nuk fituan ata nuk do të ketë investime. Ne shpresuam në fushatën për reforma në drejtësi, sepse ne tejkaluam një qeveri që solli “Sopotin”, “Kumanovën” dhe shumë raste tjera, por rasti i Almirit të vogël është një moment që tregon se diçka serioze po ndodh në qeverinë tonë”,- deklaroi Sureja Rushiti nga Aleanca për Shqiptarët.
“Kundër gjuhës shqipe e ndaluan dhe bojkotin. Mua nuk më pengon asnjë gjuhë për ta kuptuar me të dikë. Maqedonisë nuk i vjen asnjë dëm nga qytetarët shqiptarë. Unë nga këtu i them kryeministrit që të kontaktojë me shtetet fqinje. Flisni me Ciprasin, me Ramën, Haradinajn, Bërnabiqin, sepse ata janë fqinjë... Një e treta e qytetarëve janë shqiptarë. Ju që etiketoni shqiptarët, jeni albanofobë. Kemi shansin historik që të zgjidhim një problem, që nuk është bërë për fajin tonë. Qeveria ka nevojë për përkrahje dhe jo për ta thelluar problemin. A duhet Hani dhe Mogerini të na thotë se Maqedonia pas 10 viteve u kthye në rrugën e duhur? Kush duhet të mendojë për Maqedoninë, ndërkombëtarët, fqinjët apo ne duhet të jemi ata që ia duam të mirën Maqedonisë”,- tha Xhevat Ademi nga BDI.
Kryeministri Zaev hodhi poshtë të gjitha akuzat.
“Ajo që deri tani nuk kemi arritur të bëjmë është për faktin se më herët nuk e kishim parashikuar se sa është vjedhur ky shtet, sa është rrënuar financiarisht. Ne nuk duam që të marrim kredi, pasi më pas atë kredi duhet ta paguajmë shumë shtrenjtë. 280 milionë” Shkupi 2014”, 60 milionë për shëndetësi, 50 milionë për MPB-në dhe 30 milionë për mbrojtje, të mos numëroj më shumë. Qëndrojmë këtu të hapur dhe flasim për fakte reale për Maqedoninë. Nuk është e vërtetë akuza për emërimet nga qeveria dhe fakt për këtë janë 11 marrëveshjet me gjithë ata që sulmuan sekretarin gjeneral për këtë çështje dhe tani kanë kërkuar falje. Struktura e institucioneve nuk është ndryshuar për 25 për qind dhe çdo gjë është procedurale. Harxhimet që përmendini për ministrat nuk janë të njëjta si në kohën tuaj”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Seanca ende vazhdon.
REXHEP QAMILI
