LISTERIA

Listeria godet sërish, vdes 55 vjeçarja

23.07.2014 16:10

Ka ndërruar jetë pacientja e infektuar me “Listeria”, e cila dje ishte në gjendje kritike. 55 vjeçarja vuante nga sindroma e rrallë, e cila dëmton membranën e trurit.........

Ka ndërruar jetë pacientja e  infektuar me “Listeria”,  e cila dje ishte në gjendje kritike. 55 vjeçarja vuante nga sindroma e rrallë, e cila dëmton membranën e trurit. Edhe pse dje mjekët thanë se bakteria “Listeria” sulmon vetëm foshnjat apo personat mbi 65 vjeç, sot u tregua se asnjë nuk është i sigurt prej saj.

“Edhe 1 nga shtatë pacientët me manifestim të sëmundjes  misterioze, mbaroi fatalisht. Edhe përkundër ndërmarrjes së të  gjitha masave për kurim të suksesshëm të saj, pacientja mbaroi me gjendje fatale. Kjo paciente nuk hyn në grupin e pacientëve mbi 65 vjeç, që thamë se janë më të rrezikuar, por nuk do të thotë se ata nuk mund të infektohen prej kësaj bakterie. Nuk bëhet fjalë për vonesa nga ana e trajtimit, por të 4 pacientët kanë ardhur me diagnozë të rëndë”- deklaroi Zvonko Millenkoviq nga Klinika për Sëmundje Infektive.

“Ministria e Shëndetësisë, ka dërguar raport te çdo Shtëpi Shëndeti, Spitale dhe Klinika, që për çdo rast të rëndë ku vërehen format e melingitit, menjëherë t’i udhëzojnë në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup, kjo tashmë është procedurë dhe kështu bëhet, por edhe një herë ua ripërsëritëm atë që duhet bërë dhe të mos tentojnë që ta trajtojnë vetë pacientin”- theksoi Jovanka Kosotovska nga Ministria e Shëndetësisë.

Gati 12 ditë, në Klinikën e Fëmijëve në Shkup është i shtrirë edhe një i porsalindur, i cili është i infektuar nga bakteria “Listeria”. Foshnja, dy ditë pas lindjes, nga Spitali i Kumanovës është sjellë në Shkup.

“Kolegët e sollën te ne dy ditë pas lindjes së tij. Mirë kanë bërë, përndryshe bëhet fjalë për foshnje me prematuritet të vonshëm, apo i lindur me peshë të vogël nga ajo që është pritur. Ka pasur problem me frymëmarrjen dhe ka pasur sinjale për infektim. Në fillim ka qenë në gjendje të rëndë, por tashmë ka kaluar fazën kritike, fazë ku tregon se nuk i është dëmtuar truri, nga e cila kishim frikë shumë”- tha Aspazija Sofijanova nga Klinika për Sëmundje të Fëmijëve.

Numri  i viktimave nga bakteria “Lesteria”, gjatë 30 ditëve të fundit ka arritur në 4. Ndërkohë, kjo bakterie mund të shfaqet te pacientët deri pas 70 ditësh. (Rina Turkeshi-Saiti, TVM2)