Kulturë

Gostivari, gati për edicionin e dytë të “Gosfest”

23.07.2014 17:56

Edicioni i dytë i Javës Kulturore “Gosfest”, i cili organizohet me rastin e ardhjes së mërgimtarëve në vendlindje...

Edicioni i dytë i Javës Kulturore “Gosfest”, i cili organizohet me rastin e ardhjes së mërgimtarëve në vendlindje, do të mbahet nga data 25 e deri më 28 korrik në Gostivar, nën patronazhin e kryetarit të Komunës, Nevzat Bejta.
 
Edhe sivjet, “Gosfesti” dallon me laramanin e zhanreve muzikore, por nuk do të mungojë as poezia, me ç’rast, të gjitha aktivitetet pritet të mbahen në lokalitete të hapura.
 
Hollësi rreth edicionit të dytë të këtij manifestimi kulturor, dha sot Argjent Farizi nga Këshilli Organizativ.
 
Në natën e parë, më 25 korrik, do të mbahet mbrëmje letrare me pjesëmarrje të poetëve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Nata është quajtur “Vardar-rrjedhin vargjet”, ndërsa aktiviteti do të zhvillohet në amfiteatrin veror të qytetit, me fillim në ora 22:00. 
 
Nata e dytë, më 26 korrik, vijon me muzikë të lehtë qytetare në amfiteatrin veror, me fillim në ora 22:00, ku do të paraqitet grupi “Jehona Band” nga Tetova. 
 
Nata e tretë, më 27 korrik, do të ketë frymë kryesisht rinore. Do të mbahet vallëzim modern, si dhe do të performojnë DJ të njohur.
 
Manifestimi do të përmbyllet më 28 korrik, me koncertin festiv për “Ditën e Bajramit” me ilahi, këngë popullore, folklorike dhe valle.
 
Manifestimi do të mbahet në sheshin e qytetit, me fillim në ora 21:00, ku do të marrin pjesë SHKA “Lulet e Malësisë”, me këngë folklorike dhe popullore, SHKA “Jahi Hasani”, me valle kombëtare dhe “Korri i Muftinisë së Gostivarit”, me ilahi”. 
 
LULZIM HAZIRI