Maqedoni

62 kundër, 40 për dhe 2 abstenime, qeveria Zaev i mbijetoi interpelancës

12.04.2018 13:42

Me vetëm 40 vota “për”, VMRO nuk arriti të rrëzojë qeverinë Zaev...

62 deputetë votuan kundër interpelancës së ngritur nga opozita maqedonase, Merale Ferati nga PDSh dhe Rexhep Memedi nga Lëvizja BESA, abstenuan. Dy deputetët e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe Syrija Rashidi, fare nuk votuan, meqë edhe paraprakisht në diskutimet e tyre sqaruan se qeveria Zaev nuk e meriton më votën e tyre.
 
Kundër mocionit ndaj qeverisë votuan edhe deputetët, Vesel Memedi dhe Amdi Bajram. Gjithsesi, që në fillim ishte e qartë se VMRO nuk i kishte numrat për të rrëzuar qeverinë, por votimi tregoi se opozita maqedonase nuk i ka në dispozicion as votat e deputetëve aktualë në kuvend.
 
Nga 51 deputetë të saj, 4 janë në paraburgim, të dyshuar për dhunën në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar. Ra në sy edhe mosvotimi i Bllagoja Despotovskit, megjithëse ishte i pranishëm në sallë. Por, debati ktheu pas 5 muajsh në kuvend partinë e Mickoskit. Ish-kreu i VMRO-së, Nikolla Gruevski, akuzoi Zaevin se nuk ia solli Maqedonisë jetën që ia premtoi.
 
“Gjatë gjithë vitin bisedohet për reforma dhe asnjë reformë serioze nuk realizohet. Qeveria vetëshpallet si reformatore, por njerëzit asnjë reformë nuk po e ndjejnë. Kjo është qeveri e skandaleve dhe nënçmimeve. Nënçmim i Republikës së Maqedonisë dhe qytetarëve të saj. Të mos flasim për katastrofën në bujqësi, në sistemin arsimor dhe shëndetësor, për të cilët askush nuk mban përgjegjësi”,- deklaroi Nikolla Gruevski nga VMRO-DPMNE.
 
Kryeministri, Zoran Zaev, përkujtoi Gruevskin se koha e tij ka kaluar. I bëri thirrje Mickovskit për konstruktivitet në interes të shtetit dhe në prag të proceseve eurointegruese. 
 
“Me pjesëmarrje në reforma, le të përballet në mejdanin politik, si parti politike e liruar nga trashëgimia kriminele. Që të krijojmë kushte për ndryshimin e vërtetë dhe tejkalimin e pasojave nga  sistem i shkatërruar, na duhet përfshirja e të gjitha subjekteve të përgjegjshme politike dhe pak më shumë kohë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Zaev i bëri thirrje edhe kryetarit të shtetit, Gjorge Ivanovit, që të nënshkruajë Ligjin për gjuhët, për të treguar se koncepti “një shoqëri për të gjithë”, ka çuar në histori paragjykimet etnike në Maqedoni. 
 
“Ky koncept është vlerë, qytetarët kanë të drejta, janë qytetarë të RM-së, nuk është gjë  prej së cilës duhet të trembemi, është e drejtë e tyre kushtetuese. Shfrytëzoj rastin që t’i bëj thirrje edhe një herë presidentit Ivanov, të dekretojë ligjin, që jeta të vijë, të shohin të gjithë se më në fund paragjykimet etnike në Maqedoni i takojnë së kaluarës”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Zaev tha se gjërat po përmirësohen dhe këtë tashmë qytetarët kanë filluar ta vërejnë. 
 
GAZMEND REXHEPI