Botë

Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, opozita hedh miell në drejtim të Ramës

12.04.2018 14:48

Tensione në Kuvendin e Shqipërisë...

Deputetët e PD-së dhe LSI-së kanë bllokuar foltoren e Kuvendit pas fjalimit të kreut të opozitës, Lulzim Basha, për të pezulluar punimet e seancës deri në përjashtimin e kryeministrit, Edi Rama, nga punimet, po ashtu ata kanë kërkuar lirimin e kuksjanëve të arrestuar për shkak të protestës në “Rrugën e kombit”.
 
Madje, deputeti i PD-së, Flamur Noka, i ka hedhur miell kryeministrit Rama, ndërsa Ervin Saljanji hodhi shishe uji ndaj ministrit të jashtëm, Ditmir Bushatit. Pas kësaj, kryeparlamentari, Gramoz Ruçi, përjashtoi deputetët, Noka dhe Saljanji, nga seanca. Por, nuk ka përfunduar këtu. 
 
Edhe ministri i jashtëm, Ditmir Bushati, filloi të gjuajë me miell  deputetët e  opozitës. Pas kësaj, në sallë filluan “të fluturojnë” dosjet e punës së politikanëve. Kuvendi ka ndërprerë transmetimin televiziv. 
 
Ish-kryeministri, Sali Berisha, i kërkoi kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, që ashtu si deputetët e PD-së, të përjashtojë dhe ministrin e jashtëm, Ditmir Bushatin, por kjo nuk ndodhi. Pas votimit të projektligjeve në rendin e ditës, seanca u mbyll me deputetët opozitarë të cilët vazhdonin të qëndronin në foltore.