Maqedoni
Ohër, takim Dimitrov – Koxias. Dimitrov: Biseduam për kornizën kohore; Koxias: Mbeten më pak tema, por më të vështirat
12.04.2018 15:05
Shkupi dhe Athina shënojnë përparim në bisedimet për zgjidhjen e kontestit rreth emrit...

Të paktën kështu deklaruan ministrat e jashtëm të vendeve përkatëse pas takimit të sotëm në Ohër. Sipas shefit të diplomacisë, Nikolla Dimitrov, për herë të parë është diskutuar korniza kohore se si do të zbatohej marrëveshja e mundshme.
“Biseduam rreth të gjitha çështjeve që përbëjnë dallimet rreth çështjes së emrit. Për një pjesë të këtyre çështjeve ka përparim pasi janë pjekur, për një pjesë ende ka dallime. Për herë të parë biseduam për kornizën kohore dhe për hapat se si do të duket dhe si do të zbatohet nëse arrihet marrëveshje. Ishte bisedë pa të hedhur, me shumë mirëkuptim për nevojat e tjetrit. Sfida jonë kryesore është se si shqetësimet kryesore të t ë dyja palëve t’i bashkojmë dhe të gjejmë kombinimin që do ta sigurojë këtë gjë”,- tha ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov.
Për Athinën, me rëndësi është eliminimi i çështjeve që nxisin irredentizmin. Ministri i jashtëm grek, Nikos Koxias, konstatoi përparim në bisedime, por, sipas tij, edhe më tej mbeten për diskutim çështjet më të vështira.
“Dua të shpreh falënderim diplomatëve të të dy vendeve për lëndën që kanë marrë. Ne shohim përparim, veçanërisht në këtë kornizë të përbashkët të bashkëpunimit, por edhe për çështjen e vështirë që ka të bëjë me irredentizmin. Siç e kuptoni, ashtu siç afrohemi dhe zgjidhim problemet tona, mbeten më pak tema për t’u zgjidhur, por gjithsesi më të vështirat”,- theksoi ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Koxias.
Ky është takimi i tretë i shefave të diplomacive të të dy vendeve vetëm brenda një muaji, ndërsa takimi i radhës është dakorduar për më 3-4 maj. Pas këtij takimi pritet të ndodh takimi i liderëve, i paralajmëruar nga vetë kryeministri Zaev, ku Dimitrov do të raportojë për rrjedhën e bisedimeve. E gjithë kjo ndodh në prag të shpalljes së raportit për Maqedoninë dhe takimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, ku pas një ngecjeje të gjatë, pritet të deklarohet hapja e perspektivës euroatlantike të Maqedonisë.
SHPËTIM NUREDINI
