Maqedoni

Osmani në Bruksel: Vij me lajme të mira, reformat brenda afatit

12.04.2018 15:29

Zëvendëskryeministri për Çështje Europiane, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij në Bruksel...

Zëvendëskryeministri për Çështje Europiane, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij në Bruksel, ka realizuar takim me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Federika Mogerini. Në takim, Osmani prezantoi progresin e implementimit të Planit “3-6-9”, si dhe progresin e realizimit të pengesave tjera politike në rrugën euro–integruese të Maqedonisë.
 
“Vij me lajme të mira nga Republika e Maqedonisë. Ashtu siç edhe premtuam para nëntë muajve, i bëmë brenda afatit reformat për Raportin e Komisionit Europian që pozitivisht të vlerësohet progresi ynë”,- theksoi Osmani në takim, duke iu drejtuar realizimit përkatës të Plani “3-6-9”, implementimi i së cilës përfundon me publikimin e Raportit të Komisionit Europian më 17 prill. "Edhe në këtë moment, në këto ditë të fundit, deri sa mbajmë këtë takim, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë po miratohen edhe ligjet e fundit reformuese, për të cilat është e nevojshme përkrahja e dy të tretave të deputetëve dhe për çka në momentin e fundit me opozitën u sigurua konsensusi i nevojshëm”,- theksoi Osmani. 
 
Në pjesën e shmangies së pengesave politike, Osmani theksoi miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve si segment fondamental i pjesës legjislative të Marrëveshjes kornizë, duke shprehur shpresë se implementimi i ligjit do të demonstrojë forcën e saj unifikuese në drejtim të ndërtimit të shoqërisë së fortë, të qëndrueshme, prosperuese dhe multi-kulturore të Republikës së Maqedonisë.
 
“Realizuam progres historik edhe në marrëdhënie me fqinjët. Nënshkruam, dhe pas saj e ratifikuam edhe në Kuvend Marrëveshjen historike për fqinjësi të mirë me Bulgarinë, si dhe realizuam progres të rëndësishëm në komunikim me Greqinë”,- theksoi Osmani, duke shtuar se në periudhën e ardhshme pret vendim edhe për kontestin shumëvjeçar me Greqinë, me të cilin do të shmangen të gjitha pengesat në rrugën euro-integruese të Republikës së Maqedonisë. 
 
Takimi Osmani - Mogerini realizohet në prag të publikimit të Raportit të Komisionit Europian për gjendjen dhe progresin e Republikës së Maqedonisë, i cili do të publikohet më 17 prill. 
 
ERSAN PAJAZITI